Ngushëllime të njëpasnjëshme për popullin turk vijnë nga vendet e Ballkanit lidhur me tragjedinë që shkaktoi tërmeti i fuqishëm në Türkiye.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj u shpreh i pikëlluar për tërmetin shkatërrues që goditi Türkiyen në mëngjesin e sotëm.
“I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues që goditi Türkiyen dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta”, shkroi Begaj në Twitter.
Vjosa Osmani: Kosova e gatshme të ofrojë mbështetje
“Zemra ime është për të gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Türkiye.Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe uroj një shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit.Solidaritet i plotë me njerëzit e Türkiyes. Kosova është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme përmes FSK-së”, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Twitter.
Po ashtu edhe qeveria e Kosovës ka reaguar duke shprehur dhimbje të madhe për tërmetin që goditi Türkiyen dhe Sirinë, ku humbën jetën shumë qytetarë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.
“Qeveria e Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave të tërmetit. Shpresojmë që në orët në vijim të mos rritet numri i viktimave dhe të lënduarve u urojmë shërim.Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet. Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara do të vazhdojë të marrë informatat nga autoritetet vendore në Republikën e Türkiyes nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë dhe t’u ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në kumtesën e Qeverisë së Kosovës.
Vuçiq: Serbia me ju në këto momente të vështira
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi atë vend herët në mëngjes, si dhe për popullin e Türkiyes dhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa të lënduarve u uroi shërim të shpejtë.
“Serbia është me ju në këto momente të vështira, e gatshme për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme”, ka shkruar presidenti Vuçiq në Twitter.
Stevo Pendarovski: Ngushëllime popullit turk dhe presidentit Erdoğan
Po ashtu edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shprehur ngushëllimet e tij për popullin turk dhe homologun e tij.
“I shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të të vdekurve, Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe popullit turk në këto momente të vështira pas tërmetit të tmerrshëm që goditi Türkiyen”, shkroi Pendarovski në Twitter.
Ai i uron të lënduarve shërim të shpejtë.
Konaković: Qëndrojmë pranë kombit turk
Në ndërkohë Bosnjë e Hercegovina nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme, Elmedin Dino Konaković, shprehu solidaritetin me Türkiyen në lidhje me tërmetin shkatërrues dhe ofroi të gjithë ndihmën që mund të ofrojë shteti i tyre.
“I shpreh ngushëllimet më të thella Türkiyes për humbjen e jetëve dhe dëmin e shkaktuar nga tërmeti shkatërrues. Mendimet e mia janë me të prekurit, të lënduarit dhe familjet e atyre që kanë humbur jetën. Ne qëndrojmë pranë kombit turk, duke ofruar çdo ndihmë që mund të japim”, shkroi Elmedin Dino Konaković.
Rritet numri i të vdekurve
Numri i të vdekurve rritet në 284, mbi 2.320 të lënduar nga tërmeti 7.4 ballë në Türkiyen jugore, tha zëvendëspresidenti Fuat Oktay.
Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türiyes (AFAD) tha se tërmeti me magnitudë 7.4 goditi në orën 4:17 të mëngjesit (0117 GMT) dhe kishte qendër në qarkun Pazarcik të provincës Kahramanmaras.
Tërmeti ndodhi në një thellësi prej 7 kilometrash (4.3 milje). Ai u pasua nga tërmete me magnitudë 6.4 dhe 6.5 që goditën provincën juglindore të Gaziantepit.
Në provincën turke të Malatya, të paktën 23 persona u konfirmuan të vdekur dhe 420 të tjerë të plagosur, tha guvernatori i saj.
Tërmeti shkatërroi gjithashtu 140 ndërtesa në provincë. Ndërkohë, në provincën turke Sanliurfa, të paktën 15 persona mbetën të vrarë dhe 30 të plagosur, ndërsa të paktën pesë persona u vranë në provincën Osmaniye.
Provinca Diyarbakir raportoi të paktën 6 të vdekur dhe 79 të plagosur. Tërmeti fillestar është ndier edhe në vendet fqinje të Libanit dhe Sirisë.
Mbi 100 vdekje u raportuan në Siri, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të vendit.
Nuk ka ende informacione për viktima në Liban.