Shpalljen e lumit Vjosa, “Park Kombëtar”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka cilësuar si një moment historik.
Në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar në Tepelenë, kryeminsitri Rama, tha se “Vjosa, një Park Kombëtar unik për Shqipërinë dhe Evropën”.
“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë, qysh në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur, atë që për ta bërë realitet na u desh kohë, pasi nuk është vendim i lehtë, por vendim shumë i vështirë për një mijë e një arsye, shpalljen e Vjosës Park Kombëtar”, theksoi Rama.
Sot, vijoi Rama, “ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Evropës dhe në këtë rrugë për të ardhur deri këtu patëm shumë europianë, që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër, për t’i shfrytëzuar, siç e panë të arsyeshme, u turrën te Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja”.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Evropë, nga Qeveria e Shqipërisë më 13 mars u shpall “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.[OX2]
Së bashku me të tria degët e Vjosës, lumi Drino, Bënçë e Shushicë e bëjnë atë që sot është parku i parë në Evropë, i një lumi të egër siç është lumi i Vjosës.