Rama në Bruksel: Vendet e Ballkanit të sillen më pranë BE-së / Foto: ATA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, meritojnë të sillen më pranë BE-së, pa qenë domosdoshmërisht anëtarë me të drejta të plota.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel me Oliver Röpke, President i Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale (EESC), Věra Jourová, zëvendëspresidente e deleguar e Komisionit Europian të Vlerave dhe Transparencës si dhe Millojko Spajiq, Kryeministër i Malit të Zi, Rama e cilësoi si lajm të shkëlqyer që Komiteti Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale vendosi që të merrte hapa shumë të guximshëm, duke u dhënë faktikisht të gjitha vendeve kandidate mundësinë për të qenë pjesë e një komuniteti që përbëhet nga shtete anëtare.

“Unë besoj se kjo përbën shembullin e parë të shkëlqyer se si duhet të parashohim të ardhmen e afërt dhe se si me gjasë duhet të biem dakord me miqtë tanë të BE-së lidhur me qasjet e ndryshme për t’i bërë gjërat së bashku, duke na lejuar ne, vendet kandidate që të jemi pjesë e hapësirave të dialogut, të ndërveprimit dhe të bashkëpunimit që kjo organizatë e jashtëzakonshme ofron për të gjithë anëtarët”, tha Rama.

Rama vlerëson se duke qenë vendet e Ballkanit në këtë komitet si anëtare, në kuptimin e plotë, pa të drejtën e votës, është saktësisht ajo çka duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.

“Unë besoj fort se është tanimë koha që BE-ja të kuptojë se vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm, nuk janë vetëm mjaftueshëm të pjekura, por po kështu janë në një situatë kur meritojnë të përqafohen dhe meritojnë të sillen më pranë pa qenë domosdoshmërisht anëtarë me të drejta të plota, siç në fakt është objektivi fundor i gjithë këtij procesi”, u shpreh kreu i qeverisë së Shqipërisë.

TRT Balkan / agjencitë