Rama në Sarajevë: Shqipëria mbron interesat e shqiptarëve në Kosovë.     /Foto: Edi Rama/Facebook / Photo: Edi Rama/Facebok

Në konferencën e përbashkët për media me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjë e Hercegovinës Borjana Krishto në Sarajevë, Rama u shpreh se dëshirojnë të përforcojnë raportet mes dy shteteve dhe punojnë në drejtim të hapjes së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë. Mes të tjerash, ai theksoi se nuk është sekret që Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera.

“Ia thashë dhe kryeministres që ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit dhe në radhë të parë marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre që zbresin deri në nivelin e qytetarëve, ndërkohë që politika duhet t’iu shërbejë në radhë të parë të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha Rama.

“Unë dëshiroj të besoj që ashtu sikundër vetë Serbia i ka firmosur ato marrëveshje edhe Bosnjë Hercegovina do ta bëjë këtë gjë”, theksoi Rama. Kryetarja e Këshillit të Ministrave, Krishto, në fjalimin e saj tha se me gjithë kompleksitetin që ekziston, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet shoqërore dhe politike, si dhe institucionale në BeH, Këshilli i Ministrave po punon në mënyrë aktive dhe po bën përparim në gjithçka që është fokusi dhe interesi i BeH-së, dhe mbi të gjitha respektin reciprok, dialogun dhe konsensusin rreth të gjitha çështjeve që do të garantojnë stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.

Ajo shtoi se ata mbështesin të gjitha iniciativat e bashkëpunimit rajonal dhe mbeten të përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit. Në këtë kontekst, ajo tha se dy marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit i janë referuar institucionit të Presidencës së BeH-së, por nuk ka konsensus politik ose institucional rreth një marrëveshjeje.

“Shpresojmë se me përpjekje shtesë në periudhën e ardhshme do ta arrijmë këtë të paktën deri në kohën kur Samiti i Procesit të Berlinit të mbahet në Tiranë”, tha ajo. Në kuadër të vizitës së Sarajevës zyratare, kryeministri Rama ka zhvilluar takim edhe me anëtarin e presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq.

Gjatë ditë së sotme Rama është planifkuar të vizitojë Podgoricën dhe Beogradin zyrtar ku pritet të takohet me kryeministrin malazes Dritan Abazoviq dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.


TRT Balkan / agjencitë