Rama: Në Shqipëri minoritetet gëzojnë të drejtat e barabarta me shqiptarët. / Foto: AA

Sheshi i rindërtuar i fshatit Derviçan në Qarkun e Gjirokastrës, ku jetojnë pjesëtarët e minoritetit grek në Shqipëri, do të mbajë emrin e ish-kryeministrit të Greqisë, Konstantinos Mitsotakis.

Në ceremoninë e inaugurimit të sheshit në fjalë dhe vendosjes së bustit të ish-kryeministrit grek, Konstantinos Mitsotakis, ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, politikani grek Dimitris Avramopulos, i cili ka mbajtur më parë disa poste ministrore në Greqi, drejtues të Bashkisë Dropull në Shqipëri, si dhe përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri.

Në fjalën e tij në ceremoni, Rama u shpreh se është krenar për Shqipërinë, ku sipas tij minoritetet gëzojnë me ligj dhe me zakon të drejtat e barabarta me shqiptarët.

"Do të kisha dëshiruar shumë që sot të ishte këtu dhe Kyriakos Mitsotakis, djali i Kostantinosit, kryeministri i sotëm i Greqisë dhe miku im i dashur, por me siguri dhe ai do të rikthehet në këtë shesh, aq më tepër që ua ka premtuar, ku që nga sot sheshi mban emrin e të atit", u shpreh Rama.

Duke iu drejtuar banorëve të zonës, që i përkasin minoritetit grek, Rama tha se, "Ju e dini po ashtu se jeni për Shqipërinë një pasuri e çmuar, një urë e pazëvendësueshme fqinjësie të mirë me Greqinë, një lidhje e pandashme mendjesh e zemrash mes popujve, e cila jo vetëm nuk këputet kurrë brenda njerëzve, por as nuk dobësohet dot kur politika hyn në mes tyre së prapthi me tekat dhe arsyet e mosarsyes së saj. Unë jam krenar për vendin tonë të përbashkët Shqipërinë, ku minoritetet gëzojnë me ligj dhe me zakon të drejtat e barabarta me shqiptarët etnikë".

Fshati Derviçan është pjesë e Bashkisë Dropull në jug të Shqipërisë, ku banojnë pjesëtarë të minoritetit grek.

TRT Balkan / agjencitë