Rama nga Brukseli: Kapitujt e ri me BE-në, hap i rëndësishëm për Shqipërinë           / Foto: ATSH

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e cilësoi si një hap të rëndësishëm për Shqipërinë mbajtjen e Konferencës së Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe hapjen e grup-kapitullit të 6: Marrëdhëniet me Jashtë.

Në një prononcim për mediet përpara Konferencës, Rama u shpreh se, “Marshimi ynë vazhdon! Jemi këtu për të ndërmarrë një hap të ri të rëndësishëm dhe për të hapur një grupkapitull të ri, i cili është shumë, shumë i rëndësishëm për planin tonë, sepse është një hap që po bëhet sipas planit”.

“Dhe po duhet të vazhdojmë përpara dhe ambicia jonë është të hapim më shumë grupkapituj, shpresojmë në pranverë dhe pastaj të sigurohemi që viti i ardhshëm të mbyllet me grup-kapitujt e hapur”, tha Rama.

“Është me të vërtetë një ditë shumë e mirë për vendin tonë dhe një hap shumë motivues për të gjithë ne”, theksoi kreu i qeverisë.

Grupkapitulli përmban dy kapituj: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.

Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të “Themeloreve”, më 15 tetor që përfshin reformat kyç në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

TRT Balkan / agjencitë