Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se Shqipëria synon të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë deri në vitin 2030, ndaj edhe është investuar në burimet e energjisë së rinovueshme.
Kryeministri Rama ishte i pranishëm në mbledhjen e konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që zhvillohet për herë të parë në Tiranë.
Rama u ndal te reforma në fushën e energjisë, ku theksoi se “ia kemi dalë të kemi një situatë të qëndrueshme dhe të mos e rrisim çmimin e energjisë, ndonëse kemi qenë të sfiduar nga kriza globale e energjisë”.
Kryeministri nënvizoi se vendi ka investuar në burimet e energjisë nga era e dielli dhe synimi është që Shqipëria të jetë një vend ku prodhimi i energjisë elektrike të jetë 100% i rinovueshëm.
“Ne duam ta ruajmë këtë që kemi dhe të mos biem pre e tundimit për zgjidhje të lehta. Ndërkohë duam të zgjerojmë dhe intensifikojmë portofolin e sektorit të energjisë me të gjitha burimet e rinovueshme për energjinë”, theksoi ai.
Kryeministri u ndal po ashtu edhe te suksesi i Shqipërisë në turizëm, ku sipas tij, vendi po sheh një rritje shumë të fortë.
“Menjëherë pas pandemisë numrat e turizmit po rriten dhe Shqipëria po përjeton një trend pozitiv. Aeroporti i Tiranës është renditur i pari në Europë për sa i takon nivelit të rimëkëmbjes pas pandemisë. Në të njëjtën kohë jemi renditur në vendin e tretë në rang botëror nga OBT-ja për sa i takon rritjes së turizmit vitin e kaluar, pas Katarit dhe Arabisë Saudite. Kjo pa pasur ndonjë aktivitet të veçantë si Kupa e Botës”, theksoi ai.