Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, ka mbajtur konferencë për media lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Pas takimit të djeshëm me kryeministrin Albin Kurti dhe takimit që ka zhvilluar në mëngjes me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, Rashiq, i cili vjen nga komuniteti serb, tha se janë dy mënyra se si mund të implementohet dhe të vihet në funksion Rregullorja e BQK-së e cila ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë, teksa ka thënë se aktualisht Kosova është në një fazë të tranzicionit në këtë aspekt.
Sipas tij, mënyra e parë është që BQK-ja dhe Banka Qendrore e Serbisë të zhvillojnë transaksione në mes tyre, por, për shkak të rrethanave politike, “kjo nuk do të ishte lehtë e zbatueshme”.
Mënyra tjetër, sipas tij, është që vetë bankat, të cilat kanë përfaqësi në Kosovë dhe në Serbi, ta bëjnë direkt kthimin e dinarit në euro.
"Mendoj se kjo është mënyra e duhur se si duhet të veprohet nga ana teknike dhe juridike. Nuk dua të shkoj në të kaluarën pse ndodhi kjo, por duhet të ndërlidhem përsëri me të. Ne e kemi ditur se Banka Komerciale (Komercijalna Banka) e cila ka qenë e vetmja me licensë për operim, do të mbyllet këtë vit. Këtë e kam ditur qysh në vitin 2022. Në shtatorin e vitit të kaluar Banka Komerciale dhe bankat tjera e kanë marrë këtë informacion që do të mbyllen. Askush nga administrata e tyre nuk e ka parë të udhës që të aplikojë përsëri për marrjen e licensës për punë", tha Rashiq.