Zv/ministrja e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut, Viktorija Avramovska-Madiq, tha se Maqedonia e Veriut pret përgjigje nga Türkiye në lidhje me ekstradimin e Lupço Palevskit, i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska.
Zv/ministrja mori pjesë në konferencën plenare me temë “Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian: Vlerat themelore shoqërore për të ardhmen evropiane”, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Maqedoninë e Veriut.
Ajo në një deklaratë për media theksoi se ministria e Drejtësisë ka filluar procedurën për ekstradimin e Palevskit, se ministri ka nënshkruar kërkesën për ekstradim dhe se dokumentet janë përgatitur dhe dorëzuar në organet kompetente, Interpolit dhe ministrisë së Drejtësisë dhe Punët e Jashtme të Türkiyes.
“Bashkëpunimi ynë është i shkëlqyer me Republikën e Türkiyes dhe Ministrinë e Drejtësisë. Në një kohë relativisht sa më të shpejtë presim të marrim një përgjigje kur do të bëhet ekstradimi, sa më shpejt të jetë e mundur, sepse përmenda se si Ministri e Drejtësisë do të bëjmë përpjekje që kjo të mos ndodhë në fund të afatit prej 40 ditësh, por sa më shpejt”, tha Avramovska-Madiq.
Ajo shtoi gjithashtu se autoritetet kompetente janë në komunikim të vazhdueshëm me Interpolin dhe Ministrinë e Drejtësisë së Türkiyes për kërkesat e mundshme për dokumentacion shtesë.
Kujtojmë se e mitura Vanja u gjet e pajetë më 3 dhjetor në afërsi të Shkupit, ndërsa më 27 nëntor ishte shpallur e zhdukur pas denoncimit të nënës së saj.
Në lidhje me rastin dyshohen pesë persona, duke përfshirë edhe Lupço Palevskin si i dyshuar kryesor. Më 5 dhjetor, ai u kap nga autoritetet turke në qytetin Balıkesir, pas shpalljes së një urdhër arresti ndërkombëtar për të, ndërsa atij iu caktua 40 ditë paraburgim ekstradimi.