Përkundër mjegullës së dendur sot janë rikthyer fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.
Mbështetur në të dhënat e uebfaqes së aeroportit gjatë mëngjesit të sotëm janë ngritur gjashtë avione, disa prej të cilëve me vonesa të vogla. Përderisa avioni nga Istanbuli i cili duhet të ateronte në orën 07:55, është paralajmëruar për vonesë prej një ore.
Ulja e radhës në aeroport është pas orës 11:00.
Mëngjesin e sotëm ka pasur mjegull në disa lokacione në vend, si dhe në disa rrugë. Gjatë pasdites në Shkup parashihet të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, e cila do të shkaktojë ulje të pjesshme të mjegullës.
Ndryshe, për shkak të zvogëlimit të dukshmërisë si pasojë e mjegullës së dendur në luginën e Shkupit, në Aeroportin e Shkupit gjatë 24 orëve të fundit janë anuluar nëntë fluturime, ndërsa katër janë riorientuar.