Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nënshkruan memorandum mirëkuptimi në sferën e digjitalizimit dhe sigurisë së informacionit.
Memorandumin e nënshkruan në Shkup ministri i Shoqërisë Informatike dhe i Administratës i Maqedonisë së Veriut Azir Aliu dhe ministri i Administratës Publike të Malit të Zi Marash Dukaj. Pas nënshkrimit të memorandumit, dy ministrat dhanë deklaratë për media ku theksuan nevojën për të rritur bashkëpunimin.
Ministri Aliu tha se me homologun e tij nga Mali i Zi kanë biseduar për format e bashkëpunimit, si dhe e ka informuar atë për aktivitetet brenda ministrisë, përfshirë Agjencinë për Transformimin Digjital. Ai u shpreh se është diskutuar për bashkëpunim dhe aplikim të përbashkët për projekte që ndërlidhen me programin Evropa Digjitale.
"Gjithashtu, ministrin e njoftova dhe biseduam bashkë për mundësinë për aplikim në Paypal. E dini që kërkesa si e ekonomisë, edhe e qytetarëve, është që sa më shpejtë të kemi komunikim të dyanshëm në Paypal dhe mundësitë janë shumë më të mëdha që të aplikojmë si dy shtete të cilat kemi interes të kemi edhe këtë infrastrukturë", tha Aliu.
Ministri Dukaj në fjalimin e tij tha se të dyja vendet nuk kanë çështje të hapura, duke theksuar nevojën për intensifikim të marrëdhënieve, marrëveshjeve dhe bashkëpunimit në çdo fushë. "Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe ky memorandum që në mënyrë formale e dëshmon këtë, jam i sigurt se nuk do të mbetet në letër, por do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe mbrojtjes kibernetike", tha Dukaj.
Ai uroi që rezultatet nga nënshkrimi i memorandumit të jenë të dukshme sa më shpejt, përfshirë edhe në pjesën që ka të bëjë me reformën e administratës publike.