Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë Piro Misha nënshkroi sot Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rahmetulla Kuqi.
Ky memorandum synon bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët në aspektin e kërkimit akademik dhe të përhapjes kulturore, bashkëpunimit shkencor në fushën e bibliotekonomisë, kërkimit shkencor dhe fushave të lidhura me to, si: bibliografisë, informacionit shkencor, koleksioneve të rralla etj.
Në kuadër të këtij memorandumi do të organizohen veprimtari të përbashkëta kulturore e shkencore, si: konferenca, ekspozita, botime të përbashkëta, shkëmbime e dhurime botimesh etj.
Të dy drejtuesit e Bibliotekave Kombëtare e cilësuan si “shumë të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi, që hap udhën e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh”.