Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe Universiteti "Nënë Tereza" në Shkup kanë organizuar tryezë shkencore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, raporton Anadolu.
Në sallën shkencore të Institutit Albanologjik në Prishtinë u mblodhën profesorë dhe njohës të gjuhësisë për të diskutuar për problemin e përdorimit të gjuhës shqipe në domenin publik.
Shefi i degës së gjuhësisë në Institutin Albanalogjik, Abdurrahim Maxhuni, tha se krahas letërsisë dhe publicistikës roli i gazetarisë nga koha kur filloi të botohej gazeta "Rilindja" ka qenë përcaktues në zhvillimin kulturor të shqiptarëve dhe ky rol ka marrë hov të shpejtë tani me zhvillimet e mëdha shoqërore.
"I gjithë ky zhvillim i shoqërisë dhe mediave në veçanti, nuk mund të ecë në rrugë të mbarë pa pasur një gjuhë të zhvilluar dhe pa pasur qëndrime të drejta ndaj gjuhës standarde", thekson Maxhuni.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane të Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup, Mustafa Ibrahimi, duke u mbështetur në të dhënat e revistës "Etnolog", tha se në botë janë rreth 7 mijë gjuhë të gjalla, por në fund të shekullit XXI mund të zhduken rreth 90 për qind e gjuhëve.
"Në këtë ndikojnë shumë faktorë, duke filluar nga globalizimi joliberal dhe pasojat e kolonializimit për gjuhët e pushtuara, dominimi i anglishtes që ka sjellë në realitet të ri në rendin gjuhësor në botë dhe këtu do të përmendja se në librin e kuq të gjuhëve të rrezikuara është edhe gjuha arbëreshe. Andaj, mendimi im është se tri shtetet duhet të hartojnë programe të veçanta për t'i shpëtuar nga zhdukja", thekson Ibrahimi.
Ai tha se edhe vetë gjuha shqipe është e rrezikuar përballë çështjeve globale dhe rreziku që vjen nga globalizimi.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Kjo ditë festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është ndërgjegjësimi për shumëllojshmërinë gjuhësore dhe kulturore si një vlerë universale.