Në Prishtinë ka filluar Samiti i Ballkanit Perëndimor për vitin 2022, i organizuar nga revista “The Economist”.
Në këtë samit po diskutohet për agresionin ushtarak rus në Ukrainë, mungesën e energjisë elektrike dhe rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në rajon e botë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Samitit tha se Kosova po lufton një betejë të ashpër me sfidat si furnizimi me energji elektrike dhe rritja e çmimeve.
Sipas tij, kriza është më e madhe për qytetarët e Kosovës për shkak të mosmenaxhimit të mirë nga qeveritë e kaluara.
“Edhe pse ka kriza të ndryshme, Kosova mund të ofrojë model se si demokracia funksionale mund të menaxhojë me sukses një krizë për qytetarët. Kosova po lufton një betejë të ashpër kundër cenimeve më të mëdha, furnizimi i energjisë qe është tkurrur shumë, por edhe çmimet e rritura për shkak të mosveprimeve të qeverive të kaluara”.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ndër prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që në vendet e Ballkanit Perëndimor të ketë paqe dhe prosperitet. Ambasadori amerikan u shpreh se administrata amerikane mbështet integrimin euroatlantik të vendeve te Ballkanit Perëndimor.
George Papandreu, president i Internacionales Socialiste, nëpërmjet një videolidhjeje iu bashkua Samitit të Ballkanit Perëndimor. Ish-kryeministri i Greqisë tha se konfliktet mund të tejkalohen me bashkëpunim rajonal.
“Bashkëpunimi rajonal mund të jetë mbështetje e madhe për liderët që po ecin në procesin e ndryshimit. Ka shumë mënyra, është Ballkani i Hapur dhe e di që është proces i vështirë për Kosovës. Unë do të ofroja mbështetjen time për bashkëpunim sepse do të ketë përfitime financiare për qytetarët dhe vendet. Kjo do të jetë mënyra që të tejkalojmë konfliktet”, tha Papandreu.
Redaktori i “The Economist”, Alasdeir Ross, tha se aktualisht po jetojmë në një botë jostabile dhe turbulente. Gjendja që po kalon Evropa, sipas tij, është sfida më e rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ross theksoi se Ballkani Perëndimor ka rol kyç në promovimin e paqes, bashkëpunimit dhe bashkimit.
“Ballkani Perëndimor përfaqëson një treg të rëndësishëm me të drejta të mëdha potenciale për mundësi investimi në transport, energji, turizëm dhe sektorë të tjerë”, tha Ross.
Në Samit po marrin pjesë edhe drejtori rajonal për Ballkanin Perëndimor nga Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim Matteo Colangeli, ish ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi Wess Mitchell, ish-kryetari i Parlamentit Evropian Martin Schulz, si dhe ministra të sektorëve ekonomikë e energjetikë nga rajoni.