Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh sot se Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen tërësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Në komentin e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros në pagesa, Rama theksoi se ishte një sesion pa kuptim.
“Këshilli i Sigurimit i OKB-së qartësisht nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që shpresojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për këmbimet financiare, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera nga të cilat përfitojnë çdo ditë njerëzit e zakonshëm duke siguruar edhe një të ardhme në paqe për brezat e ardhshëm”, u shpreh Rama.
Në shkrimin e postuar në platformën X, kreu i Qeverisë së Shqipërisë tha se qëndrojnë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm.
“Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e tij kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet. Serbisë po ashtu iu kërkua që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.