Senati Italian ka miratuar përfundimisht projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët që parashikon hapjen e dy qendrave në territorin shqiptar për të pritur 3.000 migrantë.
Miratimi mori dritën jeshile pas 93 votave pro, 61 kundër dhe asnjë abstenim.
Miratimi u shoqërua me duartrokitje nga mazhoranca.
”Kjo marrëveshje është pjesë e një marrëdhënieje të vjetër miqësie midis Italisë e Shqipërisë dhe është një pjesë e politikës që qeveria Meloni po ndjek për të qeverisur flukset migratore në Mesdhe”, deklaroi senatorja Daniella Ternullo e FI.
Ajo shpjegoi se Tirana është ofruar të mirëpresë deri në 3.000 migrantë që presin të dinë nëse mund të shkelin në territorin italian apo duhet të riatdhesohen.
Ndërsa Maurizio Lupi, kreu i “Noi Moderati”, theksoi se kjo marrëveshje mundëson menaxhimin e flukseve të migrantëve drejt Evropës.
“Italia ka treguar një mënyrë për të trajtuar më efektivisht flukset migratore, të cilat duhet të menaxhohen në një kuadër evropian dhe ndërkombëtar, duke ndërthurur sigurinë dhe solidaritetin”, deklaroi Lupi.
”Marrëveshja me Shqipërinë, e vlerësuar edhe nga presidenti socialist gjerman Olaf Scholz, mund të jetë model edhe për Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
Marrëveshja u firmos në Romë nga dy kryeministrat, Edi Rama dhe Giorgia Meloni, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa parashikon ngritjen e dy qendrave për pranimin e migrantëve në Shqipëri, të cilat do të ndihmohen nga Italia.