Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian shprehën zhgënjimin e tyre me aksionin e djeshëm të autoriteteve kosovare, ku u mbyllën pesë objekte të institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës.
Në reagimin e BE-së thuhet se operacioni i policisë “kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren”.
“BE-ja dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar për de-përshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht, thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në reagim.
BE-ja gjithashtu u shpreh se pret që çështjet e hapura Kosova dhe Serbia t’i adresojnë në dialog.
“Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim.
Në reagimin e ambasadës së ShBA-së në Kosovë, është vlerësuar se veprimet në veri të Kosovës janë vazhdimësi e veprimeve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, ndërsa fajësuan qeverinë e Kosovës për instumentalizim të Policisë.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim e ShBA-së.
Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme e në një aksion të koordinuar u mbyllën pesë objekte të strukturave paralele në komunat veriore me shumicë serbe të Kosovës. Më herët janë mbyllur edhe shtatë komuna të tjera paralele në Prizren, Pejë, Suharekë, Istok, Klinë, Rahovec dhe Dragash.