Një shqiptar nga Kaçaniku i Kosovës pret të regjistrohet në Shkup më 25 mars 1999.     /Foto: Reuters Archive

Në Han të Elezit u mbajt sot manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, "Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta” ndau çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV-ja, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, Jahja Lluka, u shpreh se është obligim i të gjithëve për ta mbajtur gjallë Bllacën e viteve të 99-ta.

Lluka theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë me shumë për mirëmbajtjen e memorialit, pasi, siç tha ai, pas një kohe mund të mos ekzistojë.

"E kemi për obligim ta mbajmë gjallë Bllacën e vitit '99, 440 mijë njerëz kanë kaluar nëpër Bllacë. Më e mira e Bllacës së 99-shit është pas fitores se pas UÇK-së është fitorja e refugjateve shqiptarë. Prishtina e ka për obgligim t'i ndihmojë Hanin e Elezit, memorialin, sepse Prishtina ka buxhet, të cilin nuk mund ta harxhojë, kështu që është më mirë të harxhohet për një të mirë të përbashkët", tha Lluka.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, në një fjalë rasti tha se Bllaca do të jetë përherë pjesë e historisë së Kosovës.

Ballazhi shtoi se si kryetar i komunës çdoherë është i gatshëm te ndihmojë për të gjitha projektet për Bllacën e vitit '99.

"Bllaca është simbol i tragjedisë së shqiptarëve, por njëkohësisht dhe simbol i qëndrueshmërisë. Me angazhimin tonë Bllaca 99 do të jetë përherë pjesë e historisë tonë, sepse vetëm duke i kujtuar do ta mbajmë gjallë ndjenjën e atdhedashurisë", tha Ballazhi.

Ndërkaq, me rastin e 24-vjetorit të çlirimit dhe 60-vjetorin e fillimit të fotografisë të Asllan Krasniqit, ai nxori nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh dhe hapi ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit 99” në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”. Ekspozita u hap në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit.

TRT Balkan / agjencitë