Në Kosovë po shënohet Dita e Forcës – 27 Nëntori, e cila është "Ditë e Hapur" për qytetarët që të shohin nga afër kapacitetet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ceremonia kryesore e "Ditës së Forcës" po mbahet në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë, nën organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Një pjesë e kapaciteteve të ushtrisë kosovare si tanke, armë të gjata dhe uniforma të ndryshme ushtarake u vunë në hapësirat e jashtme të kazermës "Adem Jashari", në mënyrë që qytetarët t'i shohin nga afër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mbajti një fjalë rasti bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, tha se Qeveria e Kosovës po kujdeset vazhdimisht në forcimin e ushtrisë.
Kurti tha se armatimi dhe municioni i shpalosur sot, është blerë prej vendeve anëtare të NATO-s.
"Armatimi dhe municioni që shihni në ushtrinë tonë sot është i blerë prej vendeve që janë anëtare të NATO-s, e këtu duhet theksuar ShBA-në, Türkiyen, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kroacinë. Ka edhe shtete të tjera, por këto janë kryesoret. Shumica dërrmuese janë blerje nga buxheti i Kosovës e pjesërisht është edhe donacion i këtyre vendeve mike, partnere dhe aleate", theksoi Kurti.
Ministri i Mbrojtjes Maqedonci tha se shënimi i 27 Nëntorit – Ditës së Forcës është bërë traditë dhe kjo përkon me aktivitete dhe trashëgiminë që ka Kosova nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ai tha se kjo ditë po shënohet edhe me një vendim që përbën hapin e parë drejt themelimit të industrisë ushtarake.
"Ne në ditët në vijim do të komunikojmë me të gjithë të interesuarit që kanë shfaqur vullnet për mbështetjen e këtij projekti me qëllim që ai të finalizohet në kohë të duhur dhe Kosova të ketë fabrikën e parë shtetërore të prodhimit të municionit dhe laboratorin e parë për dizajnimin e dronëve", theksoi Maqedonci.
Ai tha se për këtë Kosova ka mbështetjen edhe të aleatëve të saj.
Qytetarët e Kosovës në "Ditën e Hapur" kanë mundësi të vizitojnë kazermat e FSK-së në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, ku prezantohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së.