Në organizim të Ambasadës Palestineze në Mal të Zi, në qendrën kulturore dhe informative "Budo Tomović" në Podgoricë, sonte është shfaqur dokumentari hulumtues i TRT World "Pushtimi i Shenjtë", i cili paraqet brutalitetin mizor të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.
Ky dokumentar investigativ ekspozon dhunën e kolonëve izraelitë që synojnë kapjen e tokës palestineze duke dëbuar sistematikisht palestinezët nga shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Përmes një sërë intervistash dhe raportesh të detajuara, dokumentari investigativ zbulon mentalitetin kolonial të Izraelit dhe agjendën e mirëkoordinuar mes aktorëve shtetërorë dhe bandave të armatosura hebreje.
"Pushtimi i Shenjtë" përshkruan sulme terroriste, përpjekje për djegie fshatrash dhe sulme pa dallim - realiteti i ashpër, çnjerëzor i imponuar nga Izraeli në qytetet dhe fshatrat e Bregut Perëndimor.
Pas premierës më 24 gusht në Istanbul, kjo vepër investigative novatore nga TRT World u shfaq në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës, në shtator, kur filmi fitoi çmimin e jurisë së programit në Festivalin e shtatë Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC).
Më vonë në tetor, filmi u shfaq edhe në Nju Jork, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në shfaqjen e sonte të filmit në Podgoricë morën pjesë, ndër të tjera, ambasadori i Palestinës në Mal të Zi Rabi Alhantouli, ambasadori i Türkiyes në Mal të Zi Baris Kalkavan si dhe ministri në Qeverinë e Malit të Zi Ernad Suljeviq.
Dokumentari "Pushtimi i Shenjtë" u krijua kur ekipi hulumtues i TRT World depërtoi në grupe radikale sioniste për 22 ditë dhe zbuloi sesi të rinjtë izraelitë ndjekin verbërisht liderët e tyre në strategjinë e zhvendosjes së dhunshme të palestinezëve, përmes ndërtimit të paligjshëm të vendbanimeve hebraike.