Shkup, mbahet konferencë me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut         / Foto: AA

Me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, në Shkup u organizua konferencë në lidhje me dështimet e ligjit ndërkombëtar dhe perspektivat për të ardhmen e tij, duke u fokusuar në shembuj nga Gaza, Ukraina dhe Ballkani.

Konferenca është organizuar nga Fondacioni për Studime Ballkanike (BSF), Lidhja Botërore e Avokatëve (WOLAS) dhe Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), ndërsa në të marrin pjesë hulumtues të fushës së të drejtës ndërkombëtare nga vendet si Maqedonia e Veriut, Türkiye, Anglia, Italia, Spanja dhe Sllovenia.

Kryetari i Fondacionit për Studime Ballkanike, Sevba Abdula, në deklaratën për Anadolu tha se në kuadër të konferencës një ditore e përbërë prej katër sesionesh do të trajtojnë të drejtën ndërkombëtare me shembuj nga Gaza, Ukraina dhe Ballkani.

"E drejta ndërkombëtare është një nga strukturat që ka krijuar polemika kohët e fundit, si me dështimet, ashtu edhe për shkak se është një institucion i rëndësishëm për të ardhmen. E drejta ndërkombëtare është padyshim një institucion dhe fenomen jashtëzakonisht i rëndësishëm në rajon tonë ballkanike", tha Abdula.

Hasan Basri Bülbül, akademik në Fakultetin Juridik pranë Universitetit Boğaziçi, i cili merret me të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut si dhe të drejtën e migrimit dhe refugjatëve, për Anadolu tha se e drejta ndërkombëtare në vitet e fundit ka kryesuar agjendën pasi ka mbetur e pafuqishme përballë rritjes së dhunës.

Sipas tij, e drejta ndërkombëtare është një vlerë shumë e rëndësishme që duhet mbrojtur përballë konflikteve, por se kjo vlerë shumë herë është shkelur.

"Ajo që ndodh në Gaza, Palestinë dhe Ukrainë vitet e fundit tregon se sa serioze janë problemet. Qasjet e ndryshme ndaj këtyre çështjeve dhe hezitimi i botës perëndimore ndaj të dyja çështjeve janë mjaft shqetësuese. Si juristë ndërkombëtarë, ne i vëmë në dyshim këto. Ne vëmë në dyshim natyrën dhe potencialin e së drejtës ndërkombëtare në këtë kontekst. Qëllimi ynë është të kontribuojmë në shfaqjen e një ligji ndërkombëtar më të drejtë", tha Bülbül.

Ai tha se shpreson që konferenca do të japë një kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e tensioneve në Gaza, Ukrainë dhe Ballkan.

TRT Balkan / agjencitë