Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut po mbahet Kongresi Ndërkombëtar i Turizmit, i Ekonomisë dhe i Kulturës (ITEC 24).
Në ceremoninë e hapjes së kongresit të mbajtur në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik IBU në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) morën pjesë studentët e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), Universitetit "Sivas Cumhuriyet" dhe Universitetit "Kilis 7 Aralık".
Në fjalën e tij këtu, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Mehmet Bayrak, i informoi të pranishmit për punën e bërë nga TIKA.
Duke kujtuar se TIKA operon sot në më shumë se 150 vende, Bayrak tha: "Ne zbatojmë projekte zhvillimore përmes zyrës sonë të koordinimit të programit në Shkup, të cilën e themeluam në Maqedoninë e Veriut në vitin 2005. Gjatë realizimit të projekteve tona, ne veprojmë me një qasje të orientuar nga njerëzit pa diskriminim gjuhësor, fetar apo racor".
Duke dhënë informacion për restaurimin e objekteve historike në Maqedoninë e Veriut, Bayrak ndau mendimin e tij se kongresi do të rrisë ndërgjegjësimin për promovimin e pasurive kulturore të kësaj gjeografie.
Këshilltari i Arsimit i Ambasadës së Türkiyes në Shkup, Orhan Kurtoğlu, deklaroi se aktivitete të tilla do të kontribuojnë në zhvillimin e studentëve dhe akademikëve dhe tha: "Pas mbledhjeve të përgjithshme, besoj se është koha që studiuesit tanë nga dy vende të ndryshme të japin kontribut të rëndësishëm në arsimin turk, jetën shkencore turke dhe historinë e shkencës botërore përmes studimeve të përbashkëta".
Rektori i IBU, Prof. Dr. Lütfi Sunar, gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut është në mesin e vendeve në rritje sa i përket turizmit dhe tha se marrëdhënia mes turizmit, ekonomisë dhe kulturës është e ndërlidhur.
Duke thënë se kongrese të tilla ofrojnë mundësi për promovimin e universitetit, Sunar tha: "Uroj një kongres produktiv. Dëshiroj të falënderoj të gjitha institucionet me të cilat kemi bashkëpunuar në këtë organizim dhe ekipin që mundësoi këtë kongres".
Rektori i Universitetit "Sivas Cumhuriyet", Prof. Dr. Alim Yıldız, gjithashtu theksoi se kongresi synon të inkurajojë ndërveprimin dhe bashkëpunimin ndërkulturor, si dhe pjesëmarrjen e shumë vendeve nga bota shkencore.
Duke thënë se kongresi do të mbahet në sesione online dhe me prani fizike, Yıldız tha: "290 shkencëtarë nga 23 vende të ndryshme marin pjesë në kongres dhe këta shkencëtarë e mbështetën kongresin me 182 punime".
Rektori i Universitetit "Kilis 7 Aralık", Prof. Dr. Mustafa Doğan Karaçoşkun, theksoi se kohët e fundit kanë parë një numër të konsiderueshëm njerëzish që i drejtohen turizmit të trashëgimisë kulturore në pjesë të ndryshme të botës, duke shtuar: “Teksa vendet po përpiqen të konkurrojnë në fushën e turizmit, të prodhojnë vlera të shtuara dhe të forcojnë ekonomitë, ata duhet të fokusohen më shumë në çështjen e trashëgimisë kulturore si një model për të fituar të ardhmen e tyre duke mbrojtur të kaluarën e tyre".
Kongresi do të përfundojë nesër.