Mbahet panairi mbi energjinë, ndërtimin dhe ekonominë e gjelbër në Tiranë.  / Foto: AA

Në Tiranë është hapur panairi me temë "Energjia, Ndërtimi dhe Ekonomia e Gjelbër 2023", ndërsa pjesë e tij janë edhe disa panele diskutimi.

Në ceremoninë e hapjes së panairit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, të ministrive, përfaqësues të institucioneve të tjera dhe organizatave të biznesit.

Në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë e hapjes, kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë, Eduard Shalsi, tha se konkurrenca e bën tregun më të mirë.

"Jam shumë i gëzuar që sot ky sektor ka marrë një hov. Ngjarje të tilla shërbejnë shumë për të sensibilizuar akoma dhe më shumë familjarë, akoma dhe më shumë sipërmarrës për të ecur me më shumë shpejtësi në këtë sektor. Panairet janë një moment shumë interesant për të parë se çfarë ekziston, për të shkëmbyer eksperienca", u shpreh Shalsi.

Zëvendësministëri i Financave dhe i Ekonomisë i Shqipërisë, Endrit Yzeiraj, në fjalën e tij theksoi se jo vetëm do të transformohet mënyra se si do të jetohet, por do të krijojnë mënyra gjithmonë e më efiçente për të prodhuar energji.

"Ky sektor që është aq jetik për ne dhe aq strategjik për ne të vazhdojë të zhvillohet dhe të jetë gjithmonë e më i rëndësishëm në prodhimin tonë kombëtar dhe në peshën që zë në ekonominë tonë", tha Yzeiraj.

Dhjetëra kompani nga Shqipëria dhe vende të tjera marrin pjesë në panairin dyditor që synon të nxjerrë në pah çështje si energjia e rinovueshme, efiçenca e energjisë, teknologjitë e ndryshme, ndërtimi dhe ndikimi në mjedis, ekonomia dhe fusha të tjera.

Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë panairit që organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë të Shqipërisë dhe organizatave dhe institucioneve që kanë në fokus sektorin energjisë, do të diskutohet mbi mundësitë e investimit në Shqipëri, si "një treg me shumë potencial për investitorët dhe prodhuesit ndërkombëtarë".

Gjatë panairit do të mbahen panele diskutimi me fokus temat mbi kuadrin rregullator të Shqipërisë në sektorin e energjisë, efiçencën e energjisë, ndërmarrjet publike të energjisë në tranzicionin e energjisë dhe tema të tjera.

TRT Balkan / agjencitë