Në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, është pritur në takim nga ministri i Ekonomisë dhe Punës të Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi.
Ministri Durmishi tha se gjatë takimit me Bolat ka potencuar se Republika e Türkiyes është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe një vend që vazhdimisht investon në ekonominë e Maqedonisë së Veriut në sektorë të ndryshëm.
“Të dhënat për shkëmbimin tregtar tregojnë se Republika e Türkiyes vitin e kaluar është renditur në vendin e 7-të në listën e vendeve me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut realizon vëllimin më të madh të shkëmbimit tregtar”, theksoi Durmishi.
“Investimet e përgjithshme turke në Maqedoni arrijnë në rreth dy miliardë euro. Investitorët turq përbëjnë 38 për qind të investimeve të përgjithshme të huaja në vend. Türkiye është partneri ynë i pestë për sa u përket investimeve dhe i shtati për sa i përket tregtisë. Strategjia jonë është të arrijmë zhvillim më të mirë ekonomik jo vetëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe të gjithë rajonit”, ka potencuar Durmishi.
Më herët ministri turk Bolat realizoi takim me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Mucunski, si dhe me kryeministrin Hristijan Mickoski.