Shpërthimet në veri të Kosovës, autoritetet: Akte terroriste             / Foto: KosovaPress

Një shpërthim i fuqishëm me pasoja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e këtij shpërthimi është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, e ka konfirmuar për media shpërthimin në kanalin e ujit duke thënë se ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejt ta zbardhin rastin.

Kryeministri i Koosës, Albin Kurti, tha se sulmi në veri të Kosovës është kriminal dhe terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia.

“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në kryeministri, për ta informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda kriminale terroriste, dashakeqe që po vijojnë të ne vijnë ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, tha Kurti të premten në një konferencë urgjente për media.

Kurti tha se ky sulm ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën kritike të Kosovës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi dhe pa dyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, ndërsa bëri të ditur se do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë së Kosovës si dhe do ta takojë komandantin e KFOR-it.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, përmes rrjeteve sociale e cilësoi ndodhinë si akt terrorist në të cilin është sulmuar infrastruktura jetike e vendit.

"Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për ta sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike", u shpreh presidentja Osmani.

Sulmi u dënua edhe nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, ndërsa ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë këtyre sulmeve kriminale”, shkruan Hovenier në X.

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë ambasadori Aivo Orav duke dënuar sulmin tha se incidenti duhet të hetohet dhe ata që janë përgjegjës të sillen para drejtësisë.

“Unë tashmë kam ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës”, shkroi në reagimin e tij Orav në platformën X.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se dyshimet janë që shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës në mënyrë që të pengohet rrjedhja e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit. Kjo ndërmarrje u ka bërë thirrje qytetarëve që të sigurojnë rezerva të ujit për pije.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është në komunikim me aktorët relevantë, teksa ka shtuar se shpreson në sanim të shpejtë të situatës. Aktualisht ka thënë se s’ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit.

Ky është sulmi i tretë me radhë në veri të Kosovës dhe i dyti gjatë ditës së sotme. Në Komunën e Zveçanit u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës.

Për gjithë këtë situatë Policia e Kosovës njoftoi të premten se ka rritur masat e sigurisë në gjithë vendin.

TRT Balkan / agjencitë