Shqipëria do të presë etapat hapëse të garës "Giro d'Italia"           Foto: AA

“Giro d’Italia” që është një nga aktivitetet e famshme sportive në botë, ka zgjedhur Shqipërinë mes shumë kandidatëve për “La Grande Partenza 2025” - “Nisjen e Madhe 2025”.

Në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe të organizatorëve të "Giro D’Italia" është mbajtur konferenca e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza”, që do të mbahet majin e ardhshëm në Shqipëri.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, gara e famshme do të mbledhë në maj 2025 çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Në fjalën e tij në konferencë, Rama tha se kanë marrë konfirmimin që Shqipëria është zgjedhur për "Nisjen e Madhe 2025".

“'Giro d’Italia' është një rrugë e jashtëzakonshme për të çuar kartëvizitën e vendit në tri ditë me radhë, drejtpërdrejt nëpërmjet regjisë së xhiros, e cila është e superspecializuar për sa i përket përcjelljes së imazheve, në 200 vende të botës dhe për t’ia prezantuar Shqipërinë mbi 800 milionë telespektatorëve”, tha Rama.

Ai theksoi se është i lumtur që për 3 ditë në Shqipëri "do të kemi kaq shumë kampionë të cilët do të jenë miq në vendin tonë".

Etapat e nisjes së '"Giro D'Italia" në Shqipëri do të zhvillohen nga 9-11 maji 2025.

TRT Balkan / agjencitë