Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës po kërkojnë të drejtat e barabarta siç parashihen edhe për serbët në planin evropian.
Këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Sipas tij, të drejtat e pakicave kërkojnë trajtim të barabartë, ndërsa rrugëtimi i vendeve të rajonit drejtë BE-së bëhet më i lehtë vetëm nëse pakicat trajtohen në mënyrën e merituar e në përputhje me standardet evropiane.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk guxojnë të mbeten pakica e vetme e cila, përtej përpjekjeve politike shumëvjeçare, vazhdon të stagnojë në realizimin e të drejtave të saja. Prandaj, na duhet angazhim i përbashkët e koordinim i shpeshtuar në mënyrë që çështja e Luginës të trajtohet e të drejtat e shqiptarëve të realizohen në tërësi. Dialogu Kosovë-Serbi është mundësia më e mirë që kjo temë të trajtohet”, kështu ka shkruar Kamberi.
Në vazhdim, TRT Balkan ju sjell kërkesat e përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës konform standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe adresimin e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe propozimit evropian.
a) Realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe praktikave përkatëse, dhe adresimin e tyre në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi dhe Propozimit franko-gjerman;
b) Ngritjen substanciale të monitorimit ndërkombëtar të pozitës së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës;
c) Përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, me qëllim të barazimit të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës me pozitën e serbëve në Kosovë;
d) Kërkojmë nga Qeveria e Serbisë zbatimin e të gjitha obligimeve të saj ndaj Luginës së Preshevës dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar;
e) Kërkojmë ndaljen shlyerjes së adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe rishqyrtimin e dokumenteve të pasivizuara;
f) Ftojmë Bashkimin Evropian, ShBA-në, Këshillin e Evropës, OSBE-në dhe NATO-n, për një vlerësim të përbashkët për procesin politik 2001-2023 në Luginën e Preshevës;
g) Ftojmë institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës që, në kuadër të veprimeve për bashkëpunim rajonal, të angazhohen për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në përputhje me referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për autonomi politike territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën;
Ata i kërkojnë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që t’u japin mbështetje këtyre kërkesave, që mbështeten në traditën liberale të shteteve demokratike.