Temperaturat e ulëta dhe reshjet e mëdha të borës kanë bllokuar thuajse çdo shtet të rajonit.
Erërat e forta dhe stuhitë e borës mbyllën rrugët dhe lanë më shumë se 25.000 familje në Serbi pa energji të dielën, ndërsa pemët e rrëzuara ndërprenë trafikun në Kroacinë dhe në Malin e Zi.
Shtyhet hapja e shtegut më të gjatë në Serbi
Më shumë se 250 km rrugë lokale në Serbinë malore juglindore u mbyllën për shkak të reshjeve të dëborës që arrinin dy metra, raportuan mediat lokale.
Të gjitha rrugët për në Kopaonik kanë qenë të pakalueshme dje për shkak të pemëve të rëna dhe reshjeve të mëdha të borës, raportojnë mediat serbe. Temperaturat atje ranë 15 gradë nën zero. Sipas mediave serbe, ka 100 centimetra borë, kështu duke u shtyrë edhe hapja e SHTEGUT më të gjatë.
“Zjarrfikësit-shpëtimtarë janë të angazhuar për evakuimin e njerëzve në rrugën Sjenicë-Novi Pazar në qytetin e Bërnjicës, si dhe për t'u ndihmuar kompanive kompetente rrugore në largimin e pemëve të rëna me qëllim që sa më shpejt të vendoset komunikacioni në atë rrugë dhe të zvogëlojnë rrezikun e pasojave të stuhisë së borës për qytetarët tanë”, thotë MPB-ja e Serbisë.
Pa energji elektrike mbetën edhe pjesë të Serbisë.
Një person humb jetën në Kroaci
Në Kroaci, një alarm i kuq është shpallur për rajonet përgjatë bregdetit të Adriatikut për shkak të erërave veriore që vlerësohen të arrijnë 130 km në orë.
Po ashtu, në Kroaci raportohet që një person ka humbur jetën si pasojë e temperaturave të ulëta dhe borës së madhe.
BeH dhe Mali i zi paralajmërojnë për kujdes
Autoritetet në qytetin bregdetar të Malit të Zi të Budvës paralajmëruan qytetarët që të qëndrojnë brenda pasi era e fortë shkatërroi një çati shkolle, rrëzoi pemët dhe shtyllat e llambave, fundosi një varkë turistike dhe ndërpreu trafikun përgjatë bregdetit.
Autoritetet boshnjake ndaluan përdorimin e kamionëve të rëndë në rajonet malore për shkak të reshjeve të borës dhe rrugëve të akullta.
Meteorologët kanë paralajmëruar se temperaturat e ulëta dhe stuhitë e borës në gjithë Ballkanin do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Greqia shpall gjendje të jashtëzakonshme
Cikloni i ftohtë i borës “Barbara” goditi Greqinë. Reshjet e dendura të borës po shkaktojnë probleme në qarkullimin tokësor dhe detar, ndërsa në disa pjesë të vendit është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, raportojnë mediat greke.
Në Atikë, policia rrugore tha se drejtuesit e mjeteve në gjithë rrjetin rrugor të prefekturës së Atikës duhet të mbajnë zinxhirë dëbore ose pajisje të tjera që nuk rrëshqasin. Lëvizja e mjeteve të rënda mbi 3.5 tonë është e ndaluar në disa autostrada. Autoritetet ndaluan gjithashtu kamionë të tillë nga seksionet e rrugës kombëtare Athinë-Selanik.
Nga erërat e forta dhe të ftohta është vështirësuar pastrimi i autostradës drejt Athinës.
Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura gjatë ditës së sotme pasi bora dhe stuhitë janë ende të pazakonta në Greqi, diçka me të cilën Mesdheu ende po mësohet.
Në pjesët veriore të Athinës sot janë të mbyllura të gjitha dyqanet, ndërsa shërbimi i korrierit nuk do të funksionojë.