Sulmet kibernetike në Mal të Zi: ShBA-ja jep 10 mln euro për informacion.     /Foto: AA

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë një shpërblim deri në dhjetë milionë dollarë për informacionin që mund të ndihmojë në zbardhjen e sulmeve kibernetike të kryera kundër interesave amerikane, veçanërisht në dritën e sulmeve kibernetike në Mal të Zi gushtin e kaluar.

Ambasada e ShBA-së ka vendosur tabela në disa lokacione në Podgoricë duke reklamuar një shpërblim për informacionin që mund të çojë në identifikimin ose vendndodhjen e çdo personi të përfshirë në aktivitete keqdashëse kibernetike.

Teksti i shpalljes është në gjuhën malazeze dhe ruse dhe theksohet se pagesa është e mundur edhe në kriptovaluta.

"Aktivitetet e fundit keqdashëse kibernetike tregojnë nevojën për të mbrojtur ekosistemin digjital. Informacioni në lidhje me sulmet ndaj sistemeve të informacionit shtetëror, ndërhyrjet në zgjedhje ose aktivitete keqdashëse kibernetike kundër infrastrukturës kryesore amerikane mund të raportohen duke ardhur në Ambasadën Amerikane në Podgoricë", është teksti i cili gjendet në tabela në disa lokacione në Podgoricë.

Sulmet në rrjetin informativ të Qeverisë së Malit të Zi filluan në gusht të vitit të kaluar, pas së cilës qasja në uebfaqet dhe emailet e tyre, si dhe në institucione të tjera si prokuroria, gjykatat, kadastra, të hyrat dhe administrata doganore u pamundësua për muaj të tërë.

Ekspertët e Byrosë Federale të Hetimeve të ShBA-së (FBI) ndihmuan në tejkalimin e pasojave të sulmit kibernetik ndaj institucioneve shtetërore të Malit të Zi vitin e kaluar.

TRT Balkan / agjencitë