Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takime të ndara me komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Enrico Barduani, dhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe atë të Bashkimit Evropian (BE), pas "sulmit terrorist" ndaj infrastrukturës vitale në veri të Kosovës.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim me komandantin e KFOR-it, presidentja Osmani ritheksoi se "sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit", duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit dhe duke synuar krijimin e një krize humanitare.
Osmani shprehu vlerësimin e lartë për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar dhe po ashtu falënderoi KFOR-in, i cili sipas presidentes menjëherë ka ofruar të gjitha kapacitetet e saj për të ndihmuar tejkalimin e kësaj gjendjeje si dhe parandalimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen.
Në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, Osmani, duke diskutuar zhvillimet e fundit në vend pas sulmit në veri, potencoi cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës.
Në këtë takim, presidentja kosovare ka folur për reagimin e institucioneve përgjegjëse përballë kësaj situate, me çrast presidentja dhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë.
Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për t’i minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ajo po ashtu ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor.
Gjatë ditës, presidenca kosovare po ashtu ka njoftuar se Osmani ka anuluar vizitën e saj zyrtare në Brunei për shkak të zhvillimeve të sigurisë në vend.