Brenda një jave është regjistruar sulmi i dytë me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës. Sulmi i fundit ka ndodhur sot mbi patrullën policore në Liqenin e Ujmanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes nje twett-i, tha se rreth 10 herë sot është shtënë në drejtim të Policisë Kufitare që po hipnin në një patrullë me varkë në Liqenin e Ujmanit.
"Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës", shkruan Kurti në Twitter.
Me reagim rreth ngjarjes në veri të Kosovës, ka dal edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili potencoi se grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të pengojnë apo ndalojnë Policinë e Kosovës të kryej detyrat e tyre.
"Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policor për t’i penguar ose për t’i vrarë ata", shkruan ministri Sveçla në Facebook.
Mes tjerash ai shton se ata mbesin të angazhuar me të gjitha kapacitetet e tyre t’i kryejmë detyrat që i obligon ligji e Kushtetuta.
"Për asnjë kusht nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë, pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës", thotë ministri Sveçla.
Ndryshe, të dielën e 31 korrikut Policia e Kosovës u sulmua në Mitrovicën e veriut.
Lista Serbe dënon sulmin
Lista Serbe përmes një komunikate poashtu është deklaruar për sulmin mbi Policinë e Kosovës, duke thënë se e dënojnë çdo kërcënim të sigurisë pa dallim nga cila palë vjen. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve të Xhelal Sveçlës dhe autoriteteve në Prishtinë, të cilët mundohen që popullatën në veri t'a paraqesin si negative, dhe vetes t'i japin alibi për bastisje të dhunshme dhe maltretim të popullatës serbe nga Shtërpca e deri në veri të Kosovës.