Republika e Kosovës nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia, shkruan në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Republika e Kosovës ka synim paqen e stabilitetin, ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën”, shkruan Sveçla.
Ai njëherëshi ka demantuar deklarata se Kosova e ka ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, gjegjësisht sipas tij një gjë të tillë e ka bërrë Serbia e ndikuar nga Rusia.
“Nuk jemi të interesuar për luftë, por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit”, shkruan ministri Sveçla.
Policia e Kosovës, ai tha se është duke zbatuar si kudo në Republikën e Kosovës mandatin e saj ligjor.
“Ka detyra të përditshme të tyre e jo gatishmëri për luftë”, potencon Sveçla.
Po ashtu, Sveçla shkruan se institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm.
“Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të EULEX-it e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”,
Ndryshe, gjatë mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës, janë vendosur dy barrikada të reja, gjegjësisht në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë dhe tjetra të Kershi i Dudes.