Takim Çavuşoğlu-Turkoviq: Türkiye dëshiron Ballkan të zhvilluar dhe stabil / Foto: AA

Me një Türkiye të fortë, Ballkani Perëndimor është më i sigurt dhe më i fortë, tha në Ankara, zv/kryetarja e Këshillit të Ministrave dhe Ministrja e Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës, Bisera Turkoviq. Pas takimit me Ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, Turkoviq deklaroi se BeH është një "vend i vogël i njerëzve të guximshëm" që ka mbështetje miqësore dhe partneritet të jashtëzakonshëm nga populli turk dhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

"Jemi mirënjohës për përpjekjet e jashtëzakonshme që bëhen për përparim dhe stabilitet në Ballkan. Forcimi i vazhdueshëm i Türkiyes, roli i saj global dhe gjeopolitik, si dhe progresi i saj ekonomik, teknologjik dhe çdo përparim na bën të lumtur ne në BeH. Me një Türkiye të fortë, Ballkani Perëndimor është më i sigurt dhe më i fortë. Pa një Türkiye të fortë pyetja është se çfarë do të ndodhte, sigurisht që as Ballkani Perëndimor nuk do të ishte në paqe", tha Turkoviq.

Në këtë kontekst, ajo i kushtoi rëndësi të veçantë Forumit Diplomatik në Antalya, i cili, siç tha ajo, bashkoi interesat e ndryshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke kontribuar në sigurinë e gjithë rajonit.

“Historia i lidh dy vendet tona të mrekullueshme dhe unë besoj se ne ndajmë të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian dhe aleancën e NATO-s. Siç e dini, BeH kohët e fundit mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, për ne është një hap i rëndësishëm në drejtimin që duam të shkojmë. Sigurisht, jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë”, tha Turkoviq.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se Türkiye përkrah fuqishëm anëtarësimin e Bosnjë e Hercegovinës në BE dhe NATO.

“Muajin e kaluar Bosnjë e Hercegovina mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, i urojmë për këtë. Shpresojmë të nisin negociatat sa më shpejt. Shpresojmë që BE-ja nuk do t’u bëjë lajka vendeve të Ballkanit Perëndimor siç na ka bërë neve. Gjithashtu, japim përkrahje të fortë për anëtarësimin e Bosnjë e Hercegovinës në NATO”, tha Çavuşoğlu.

Kryediplomati turk nënvizoi se stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për Ankaranë.

“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm për ne. Kur e themi ne këtë nuk është vetëm dëshirë, por ndërmarrim hapa konkretë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit”, theksoi Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu tha gjithashtu se në Bosnjë e Hercegovinë nuk janë arritur rezultatet e pritshme në luftën kundër organizatës terroriste FETO.

AA