​Thaçi në Speciale kërkon respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës / Foto: Reuters           / Foto: AA

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur edhe një herë në Gjykatën Speciale në Hagë duke kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Zyra e Prokurorisë Speciale e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – derisa ai ndodhet në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.

“Dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët, në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha Thaçi në konferencën mbi ecurinë e çështjes më 18 dhjetor.

Edhe një herë, Thaçi tha se ai nuk paraqet rrezik në kuptimin politik e as “për ndonjë projekt qeveritar”.

“Ju e dini para katër vitesh në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhesha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe një herë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër e as për deputet, as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.

TRT Balkan / agjencitë