Në kuadër të projektit "Mbështetja e prodhueseve dhe përpunueseve të qumështit me pajisje bujqësore të komunitetit boshnjak", Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhuruar pajisje për fermerët e komunës së Pejës dhe Istogut.
Ngjarja u zhvillua në fshatin Zllapek të Pejës, ku nga ky projekt përfituan 10 fermerë nga komuniteti boshnjak në këtë rajon.
Në ceremoni morën pjesë zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Rexhepi, nënkryetari i Komunës së Pejës Fatmir Asllani, Koordinatorja e TIKA-s në Kosovë Fulya Aslan dhe fermerë.
Rexhepi në fjalën e saj tha se ishte kënaqësi pjesëmarrja në një ngjarje të tillë ku TIKA mbështet projektet e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në Kosovë dhe u shpreh optimiste se fermerët do ta organizojnë punën e tyre edhe më mirë pas këtij donacioni nga TIKA.
"Me shpresën se do të mbajmë forcat tona të përbashkëta me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe me organizatën qeveritare turke TIKA, dua t'ju përgëzoj edhe një herë të gjithëve për projektin. Dhe ne jemi këtu për t'ju siguruar mjete më të mëdha për aktivitetet tuaja bujqësore", tha Rexhepi.
Ajo po ashtu tha se është e lumtur me koordinatoren e re të TIKA-s në Kosovë, e cila është "mike shumëvjeçare e Kosovës".
Koordinatorja e re e TIKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan, tha se TIKA ka realizuar shumë projekte në bujqësi për të plotësuar nevojat ushqimore të qytetarëve të Kosovës, për të zhvilluar sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, që ka një vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit, si dhe përmirësimin e kushteve të prodhimit.
Ajo theksoi se produktet shtazore dhe bujqësore nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar rritjen e popullsisë botërore dhe sigurimi i ushqimit nuk po arrihet vetëm me prodhim.
"Sot, ne do t'ju ofrojmë juve, fermerëve tanë të çmuar, tanke për ftohjen e qumështit dhe pajisje për prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij të shëndetshme dhe të përpunuara me metoda moderne dhe higjienike. Ne synojmë të sigurojmë prodhim cilësor dhe siguri ushqimore", theksoi Aslan.