"Tirana Gate 2023”, kështu quhet Festivali Letrar Ndërkombëtar i të Rinjve në Shqipëri i cili është hapur sot duke mbledhur së bashku shkrimtarë nga disa vende.
Në ceremoninë e hapjes të organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, të shtëpive botuese, shkrimtarë, studentë dhe studiues të fushave të ndryshme.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, në fjalën e tij përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së festivalit u shpreh se festivali është një manifestim kulturor edhe i gjithë autorëve të ardhur nga pjesë të ndryshme të Evropës.
"Tanimë Tirana ka moshën e rinisë. Është ky muaj kaq me vlerë, kaq i paqtë dhe kaq special për të gjithë ne, por veçanërisht edhe për të rinjtë. Më kënaq shumë fakti që gjithmonë e më tepër të rinjtë përfshihen në botën e librit, sepse realisht është një pasuri jo vetëm për ta, por është një pasuri që ato i japin shoqërisë, qoftë nëpërmjet krijimtarisë së tyre, por dhe qoftë dhe ndërmjet leximit të autorëve", tha Seferi.
Ai theksoi se institucionet mundohen edhe në bashkërendim me shkollat, drejtoritë arsimore, por qoftë edhe me aktorë të tjerë të librit, për krijimin e kushteve për rininë që t’u drejtohet librave.
"Është një moment shumë i rëndësishëm hapja e të gjitha bibliotekave pranë njësive të ndryshme të Tiranës, pikërisht për t’u vënë në shfrytëzim nga të rinjtë, për të qenë sa më pranë librit, për të qenë sa më pranë krijimtarisë", u shpreh Seferi.
Festivali Ndërkombëtar i të Rinjve(4-6 tetor) organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera kulturore. Pjesë e festivalit do të jenë shkrimtarë dhe përkthyes nga Shqipëria dhe shtete të tjera, të cilët do të marrin pjesë në takime me lexues, panele diskutimi dhe aktivitete të tjera.