Kurti reagon pas ndalimit të festivalit "Mirëdita, dobar dan!" në Serbi / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas ndalimit të mbajtjes së festivalit "Mirëdita, dobar dan!" në Beograd duke thënë se Serbia në vend që t'ua jepte fjalën artistëve, ua dha fjalën huliganëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti ka shkruar se Serbia ka ndaluar një festival që është nismë e Bashkimit Evropian, pak kohë pasi refuzoi edhe një herë Marrëveshjen Bazike.

"Pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të lehtësuar nga BE-ja, të miratuar nga ShBA-ja, Serbia ndaloi të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE-ja, festivalin 'Mirëdita, dobar dan'", ka shkruar Kurti.

Kurti tha se festivali është rrëmbyer nga udhëheqësit institucionalë të Serbisë.

"Festivali kulturor me një histori dhjetëvjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia, 'Mirëdita, Dobar Dan' u rrëmbye nga zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin dhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazheve diskriminuese", shkroi Kurti.

Ai tha se me këtë rast Serbia shfaqi edhe një herë "armiqësinë e saj të paepur ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me paqen dhe pajtimin".

Të enjten në mbrëmje një grup prej 100 pjesëtarësh janë bërë bashkë duke rrethuar vendin ku pritej të bëhej hapja e festivalit ku kanë dhënë "shfaqjen" e tyre për "Kosovën zemër të Serbisë", duke festuar dhe nuk u larguan as pasi zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme dha urdhrin për ndalimin e festivalit.

Organizatorët e "Mirëdita, dobar dan!" dhe aktivistë për të drejtat e njeriut një rast si ky e kanë cilësuar "rreshtim të Serbisë dhe të institucioneve të saj në anën e huliganëve".

"Mirëdita, dobar dan!" si qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2014 në kuadër të këtij festivali në Beograd është prezantuar skena kulturore dhe shoqërore e Kosovës.

Qëllimi kryesor i programit "Mirëdita, dobar dan!" është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin.

AA