Të rinjtë nga Kosova dhe Shqipëria në kuadër të programit “Trashëgimia dje, sot dhe nesër”, zhvilluan ekspeditën e tyre në sitet historike të arkeologjisë shqiptare,si pjesë e shkëmbimit rinor të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, Departamenti i Rinisë të MKRS-së të Kosovës dhe në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Kulturore-MEKI.
Ata u ndalën në disa pika kryesore dhe mjaft interesante si Kalaja e Ishmit, Kalaja e Bashtovës, Parku Arkeologjik i Apollonisë, Amfiteatri i Durrësit etj., ku u njohën me historinë e trashëgimisë tonë të pasur kulturore.
Në një postim të tijin, ministri Blendi Gonxhja shkroi se, në këtë nismë, Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Inovacionit në bashkëpunim me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, garanton mbështetjen e plotë për të shkruar një kapitull të jashtëzakonshëm për të rinjtë.
Në Parkun Arkeologjik i Apolonisë të rinjtë mundën të prekin lashtësinë e Apolonisë së gurtë, e cila ofron jo vetëm antikitet dhe trashëgimi arkeologjike, por dhe natyrë të qetë dhe tërheqëse.
Një tjetër pasuri kulturore, siç është Kalaja e Bashtovës, ishte ndalesa e dytë e grupit rinor. E konsideruar edhe si kështjellë, kjo fortesë e rrallë është e vetmja në Ballkan që është ndërtuar në fushë.
Me një panoramë natyrore të mrekullueshme, me rrethinat e kalasë ende të plota, ky monument kulture dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.