Türkiye dhe vendet e Ballkanit gëzojnë përfitime të udhëtimit pa viza.     Foto: Reuters

Komisioni Evropian nisi një plan veprimi më 5 dhjetor 2022 për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme për politikat pa viza për shkak të rritjes së migracionit në Bashkimin Evropian përmes Ballkanit Perëndimor. Disa vende të BE-së janë në favor të vendosjes së një regjimi më kufizues të vizave për Ballkanin Perëndimor.

Por, udhëtimi pa viza ka shumë përfitime si rritja e mundshme në sektorin e turizmit, shkëmbimet studentore dhe shkencore dhe mundësia për të krijuar më shumë lidhje për të lehtësuar biznesin. Ndërsa disa vende në BE duan të kufizojnë lëvizshmërinë, Türkiye dhe vendet e Ballkanit gëzojnë udhëtimin pa viza.

Në Ballkan: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Serbia nuk kërkojnë vizë nga mbajtësit e pasaportës turke. Kjo praktikë ofron një sërë përfitimesh ekonomike dhe sociale për vendet.

Udhëtim pa viza që nga vitet 2000

Pas nënshkrimit të marrëveshjes reciproke për heqjen e vizave: ndërmjet Shqipërisë dhe Türkiyes më 20 nëntor 2009, ndërmjet Serbisë dhe Türkiyes më 12 korrik 2010, ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes më 13 janar 2009, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes më 15 maj 2012, midis Malit të Zi dhe Türkiyes më 18 janar 2008, qytetarët e vendeve në fjalë mund të udhëtojnë lirisht me njëri-tjetrin.

Për më tepër, gjatë udhëtimit të shkurtër në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci në shtator 2022, presidenti turk Erdoğan njoftoi se qytetarët e Türkiyes, të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës së shpejti do të mund të udhëtojnë me letërnjoftime.

Kjo do të thotë se Türkiye dhe vendet e Ballkanit shkojnë përtej udhëtimit pa viza dhe ofrojnë një lehtësi të madhe për qytetarët e tyre në aspektin e ndërveprimit midis vendeve.

Përfitimet e udhëtimit pa viza

Udhëtimi pa viza ka shmangur procedurën gjithmonë të rënduar të aplikimit për vizë, e cila është shumë e kushtueshme dhe kërkon kohë. Kur keni qasje pa viza në një vend, nuk do t’ju duhet të plotësoni formularët e aplikimit për vizë për të fituar hyrjen dhe për të paguar kosto shtesë për vizë. Vetëm pasaporta e vlefshme është e nevojshme për njerëzit që udhëtojnë.

Pa pasur nevojë për vizë, ju keni lirinë të shkoni në çdo vend me të cilin vendi juaj ka nënshkruar një marrëveshje për liberalizimin e vizave.

Krahas përfitimeve për qytetarët, u ul ngarkesa e stafit diplomatik në konsullatat e nevojshme për të përpunuar aplikimet për viza.

Ndikimi në sektorin e turizmit

Së bashku me taksat e udhëtimit, kostot dhe vështirësitë që lidhen me aplikimet për viza janë ndoshta problemi kryesor i industrisë ndërkombëtare të turizmit. Megjithatë, aty ku është e mundur të ketë procedura të thjeshta në kufi pa viza, norma e udhëtimit rritet ndjeshëm.

Shumica e njerëzve preferojnë vendet që nuk kërkojnë viza për një pushim më të lehtë. Për qytetarët turq, vendet e Ballkanit pa viza janë zgjedhja kryesore për pushime falë afërsisë gjeografike, afërsisë kulturore e historike dhe përballueshmërisë (financiare).

Statistikat kombëtare treguan se numri i turistëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor pa viza në Türkiye dhe anasjelltas rritej gradualisht çdo vit.

Një zyrtar nga Serbia thotë se “Në vitin 2021, 85% më shumë turistë serbë vizituan Türkiyen se në vitin 2020, ndërsa numri i qytetarëve turq që vizituan Serbinë u rrit me 95%. Në 6-mujorin e parë të vitit 2022, numri i ardhjeve të turistëve turq ishte 45.402, që është një rritje prej 179% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.”

Ky është rezultat i politikave intensive të ndërsjella që tërheqin turistë, si udhëtimi pa viza, veçanërisht pas pandemisë.

Falë këtyre politikave, numri i vizitorëve të huaj në Türkiye është rritur 3.4 herë në 20 vitet e fundit. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, Türkiye është e gjashta në botë në renditjen e vendeve që presin më shumë vizitorë.

Vetëm në shtator 2022: 16.096 persona nga Shqipëria, 23.511 nga Bosnja, 3.007 nga Mali i Zi, 24.925 nga Kosova, 33.089 nga Maqedonia e Veriut, 40.205 nga Serbia – erdhën në Türkiye.

Ndikimi në lëvizshmërinë e punëtorëve dhe biznesin

Fatkeqësisht, sipas shumë studimeve, politika e vizave nënkupton humbjen e mundësive për rritje ekonomike dhe vende pune. Barriera e vizave është një çështje shumë sfiduese për lëvizshmërinë e fuqisë punëtore. Prandaj, udhëtimi pa viza është një lehtësi e madhe për njerëzit e biznesit dhe të punës.

Liberalizimi i vizave mund të lehtësojë një shtetas të vendit që të ndërmarrë një ose më shumë udhëtime të shkurtra për të eksploruar mundësitë e punësimit në vendin pa viza, veçanërisht për punë të përkohshme e sezonale dhe për qëllime investimi. Në disa raste, qytetarët mund të bëjnë një aplikim të lehtë për qëndrim në bazë të punësimit nga territori i vendit pa viza.

Ndërsa kompanitë turke ofrojnë punësim në vendet e huaja, ato gjithashtu mund të ofrojnë punësim më të lehtë për qytetarët turq jashtë vendit në çdo vend pa viza.

Sipas shifrave të dhëna nga konsulenca tregtare e Türkiyes, më shumë se 1.300 kompani turke, që punësojnë rreth 10.000 punëtorë serbë, operojnë në Serbi. Shuma e investimit të Türkiyes në Serbi ishte rritur në dekadën e fundit nga 1 milion dollarë në 2010 në afërsisht 300 milionë dollarë në 2021.

Ekzistojnë rreth 100 investitorë turq në Maqedoninë e Veriut. Shuma totale e investimeve të realizuara dhe të planifikuara të këtyre kompanive tejkaloi 1.2 miliardë euro dhe numri i përgjithshëm i të punësuarve i kaloi 5.000 persona.

Në Bosnjë e Hercegovinë operojnë rreth 100 kompani turke dhe shuma totale e investimeve turke në këtë vend është 250 milionë dollarë. Këto investime ofrojnë punësim për më shumë se 2.000 njerëz në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kostoja e projekteve të ndërmarra nga kontraktorët turq në Bosnjë e Hercegovinë është afërsisht 600 milionë dollarë.

Shuma e investimeve turke në Mal të Zi është 67 milionë dollarë në vitin 2021.

Türkiye është vendi i katërt investitor në Kosovë me një shumë prej 339,8 milionë euro ndërmjet viteve 2007 dhe 2021. Kompanitë turke punësojnë rreth 10.000 kosovarë.

Në Shqipëri operojnë rreth 300 kompani turke dhe investimet turke në këtë vend janë në nivelin e 3 miliardë dollarëve.

Ndikimi në ndërveprimin social

Një regjim pa viza nxit lëvizshmërinë, shkëmbimin e studentëve ndërkombëtarë, përmirëson bashkëpunimin rajonal midis vendeve individuale dhe krijon shoqëri më të hapura dhe ndërvepruese.

Si pjesë e strategjisë për tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë, Türkiye ka zhvilluar më shumë mundësi për bursa, ka lehtësuar procedurat e vizave dhe lehtësira pa viza për studentët ndërkombëtarë, si dhe ka përshtatur një procedurë më fleksibël pranimi për studentët e huaj.

Me këto mundësi, Türkiye dhe vendet e Ballkanit kontribuojnë në lëvizjen e studentëve ndërmjet njëri-tjetrit. Sipas të dhënave të Këshillit të Arsimit të Lartë (YÖK), rreth 300 mijë studentë ndërkombëtarë janë aktualisht duke studiuar në Türkiye.

Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit në Shkup, Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës në Sarajevë dhe shkollat e Fondacionit Turk Maarif tërheqin studentë turq në Ballkan dhe gjithashtu rrisin investimet në arsim. Lëvizshmëria e studentëve kontribuon në ekonominë dhe tregun e punës ndërmjet vendeve.

Studentët mund të studiojnë në universitete, të bëjnë praktikë afatshkurtër dhe të ndjekin seminare të ndryshme trajnimi pa menduar ngarkesën e vizës.




TRT Balkan