Në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog u mbajt sesioni "Ballkani Perëndimor në vijën e parë: Bashkëpunimi rajonal dhe reagimi kolektiv kundër ndikimit të huaj keqdashës".
Në fillim të sesionit, fjalim hyrës kishte zv/ministrja e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Fatmire Isaki, ndërsa në të morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm për Ballkanin dhe Evropën Qendrore pranë Ministrisë së Jashtme turke, ambasadori İlhan Saygılı, si dhe diplomatë të tjerë.
Në fjalën e saj, Isaki tha se historikisht vendet e rajonit kanë qenë cak i manipulimeve nga faktorë të jashtëm që kanë qëllim të rrezikojnë proceset demokratike. Ajo u shpreh se faktorët e jashtëm zhvillojnë operacione të ndryshme, si sulme hibride, dezinformata ose operacione të fshehta, ndërsa theksoi se për t'iu kundërpërgjigjur këtyre sfidave nevojitet bashkëpunim rajonal dhe partneritet me aleatët strategjikë.
"Maqedonia e Veriut ka shqetësim të madh në lidhje me këtë çështje, çështjen e ndikimeve të huaja keqdashëse, ngjashëm si shumë vende të rajonit, pasi ajo paraqet kërcënim për demokracinë, stabilitetin dhe interesin kombëtar të vendit. Ne nuk jemi imunë ndaj asnjë forme të ndërhyrjes dhe manipulimit që vjen nga aktorët e jashtëm. NATO-ja ka luajtur rol vendimtar në mbështetjen e përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për të luftuar ndikimet keqdashëse dhe për të mbrojtur sovranitetin e saj", tha Isaki.
Ajo u shpreh se për t'u përballur sa më mirë me këto sfida, duhet zhvilluar vlerat dhe parimet demokratike si dhe duhet përforcuar kapacitetet e sigurisë kibernetike. Në fjalën e tij në panel, ambasadori Saygılı tha se rajoni i Ballkanit po përballet me probleme të brendshme si ikja e trurit, mungesa e qeverisjes së mirë, papunësia dhe migracioni.
Ai tha se fillimisht COVID-19 ka tronditur ndjenjën e sigurisë, ndërsa më pas lufta në Ukrainë solli probleme të furnizimit me energji dhe ushqim dhe shqetësime të sigurisë në jetën e përditshme, duke shtuar se Rusia e ka zhvendosur fokusin e saj nga rajoni në një masë të caktuar me luftën në Ukrainë.
Saygılı tha se Bashkimi Evropian (BE) ka ndryshuar politikën ndaj Ballkanit, duke theksuar se vakumin politik dhe të sigurisë po përpiqet ta plotësojë duke përshpejtuar proceset integruese të vendeve të rajonit në BE. Ai në këtë kontekst tha se mirëpresin zhvillimet pozitive si dhënia e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën (BeH), nisjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën nga 1 janari 2024.
"Këto janë zhvillime pozitive, por duke e bërë këtë, procesi i integrimit të Türkiyes nuk duhet të ndahet ose të veçohet. Sepse Ballkani është një tërësi. Ne nuk duam asnjë trajtim si fëmijë i birësuar i rajonit. Edhe ne vetë jemi fëmijë të këtij rajoni. Ky është realiteti dhe Ballkani duhet trajtuar si një i tërë", tha Saygılı.
Ambasadori Saygılı duke kundërshtuar "termat e fabrikuara" si Ballkani Perëndimor, Ballkani Lindor, tha se në aspektin teknik fjala Ballkani Perëndimor është përdorur, por nuk ka qenë kështu kur bëhet fjalë për politikën dhe se kjo nuk është rruga e duhur.
Duke përmendur edhe temën e panelit, ai tërhoqi vëmendjen se aktorët keqdashës duhet të përcaktohen mirë. Sipas tij, disa politikanë evropianë, madje edhe disa çarje të BE-së, Türkiyen e kanë portretizuar si fuqi e jashtme ose keqdashëse, ndërsa disa kanë shkuar edhe më tej duke theksuar se Türkiye po përpiqet të kthehet në rajon.
"Ne nuk përpiqemi të kthehemi në këtë rajon, sepse nuk jemi larguar kurrë. Ne jemi pjesë përbërëse e Ballkanit. Edhe vetë fjala Ballkan është fjalë turke. Do të thotë varg i lartë malor, varg malor pyjor. Ne kemi lidhje shumë të forta njerëzore me Ballkanin. Ne kemi miliona njerëz me origjinë ballkanike që jetojnë në Türkiye, shtetas turq. Në shumë vende të Ballkanit kemi komunitete turke. Plus ne gjeografikisht, politikisht dhe historikisht jemi pjesë e rajonit. Nuk mund të pranojmë akuza të tilla, kur dikush thotë se Türkiye është një aktor i jashtëm. Kjo nuk pasqyron realitetin", tha Saygılı.
Ai shtoi se Türkiye nuk është palë kundërshtuese me BE-në në Ballkan.
Forumi i Prespës për Dialog (FPD) është platformë e krijuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për t'u mundësuar vendeve, udhëheqësve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe t’i forcojnë partneritetet.