Bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e flukseve të migrantëve nga vendet e treta sipas kryeministres së Italisë Georgina Meloni mbështetet në tri objektiva.
“Plani forcon partneritetin strategjik midis Italisë dhe Shqipërisë me tri objektiva:luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, parandalimin e flukseve të parregullta të emigrantëve dhe pranimin e vetëm njerëzve që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare në Evropë", deklaroi Meloni.
Kryeministrja italiane Meloni e vlerëson këtë si marrëveshje evropiane.
“Ajo që dua të them është se kjo marrëveshje tregon se është e mundur të bashkëpunohet për menaxhimin e flukseve të migracionit. Është i mundur bashkëpunimi gjithëpërfshirës. Ne mund dhe duhet të bashkëpunojmë veçanërisht me kombet që janë vërtet evropiane”, theksoi ajo.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se kërkesa të ngjashme ndaj Shqipërisë ka pasur edhe më herët, por janë refuzuar. Përjashtim është bërë në këtë rast për Italinë e cila gjithnjë sipas Ramës ka qenë mike e shqiptarëve. Gjatë një interviste për median italiane, Rai News 24, Rama hodhi poshtë zërat se firmosja e kësaj marrëveshje është bërë në këmbim të hapjes së negociatave për në Bashkimin Evropian.
"Kjo është diçka qesharake sepse ne i kemi hapur negociatat me BE-në. Dhe pastaj, hyrja në BE nuk bëhet kështu. Nuk ndodh kështu. Nuk është se Italia merr 3.000 emigrantë dhe ne do t’ju lëmë të hyni në BE. Por, në çfarë bote po jetojmë? Duhet të jemi pak më korrekt dhe pak më seriozë kur diskutojmë këto çështje dhe kjo çështje është shumë e ndërlikuar për mua. Nuk shoh ndonjë zgjidhje magjike që ka gjetur dikush për çështjen e flukseve migratore dhe kësaj vale njerëzish të dëshpëruar që mbërrijnë në brigjet e Italisë dhe më pas duan të hyjnë në vendet e BE-së”, tha Rama.
Në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar të hënën nga kryeministrja italiane Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thuhet se Italia do të ndërtojë dy qendra të pritjes së emigrantëve në Shqipëri. Qendrat do të përpunojnë emigrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe, por nuk do të pranojnë ata që arrijnë në brigjet e Italisë vetë, as të miturit, gratë shtatzëna ose ata me shëndet të brishtë.
Shqipëria dhe Italia ndahen nga rreth 100 km det në pikat e tyre më të afërta.
Në Itali dhe Shqipëri marrëveshja shkaktoi reagime të ndryshme.