Türkiye mori komandën e KFOR-it në Kosovë.     /Foto: AA

Republika e Türkiyes ka marrë komandën e trupave paqeruajtëse të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it u mbajt në "Camp Film City" në Prishtinë, ku detyrat e Komandantit të KFOR-it kaluan nga Italia te Türkiye, në prani të ministrave të kabinetit qeveritar, krerë të institucioneve kosovare, ambasadorëve të vendeve të huaja, udhëheqësve fetarë në Kosovë, ushtarakëve e të tjerë.

Italia me gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia mori përsipër misionin e 27-të të KFOR-it nga Hungaria, më 10 tetor të vitit 2022, ndërsa në ceremoninë e sotme pozita udhëheqëse e këtij misioni iu dha komandantit të ri, Özkan Ulutaş nga Türkiye.

Ish-komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, në fjalën e tij përshëndetëse para të pranishmëve tha se do të jetë fjalëpak, për shkak se njerëzit në pozita të tilla "kanë pak për të thënë dhe shumë për të bërë".

"Tani, kur po e lë komandën e KFOR-it, besoj se përsëri kam pak për të thënë, sepse veprimet tona gjatë kësaj periudhe do të gjykohen a lavdërohen nga komandanti ynë i përgjithshëm, nga aleatët të cilat janë institucione të besueshme me autoritet për të gjykuar", theksoi Ristuccia.

Ai tha se gjatë mandatit të tij “kurrë nuk është ndier i vetmuar", derisa falënderoi shtetet aleate që përbëjnë KFOR-in.

Komandanti i ri i KFOR-it, Özkan Ulutaş, tha se si komandanti i parë turk i këtij misioni, është i vetëdijshëm për rëndësinë e përgjegjësisë që ka pranuar nga autoritetet e NATO-s. Ai tha se po e merr komandën me përkushtimin për ta kryer detyrën duke përdorur të gjitha përvojat e tij dhe me profesionalizëm.

"Zhvillimet e fundit treguan paparashikueshmërinë e natyrës së sigurisë dhe mjedisit të sigurt në rajon, të cilat mund të shkatërrohen në çdo kohë. Kjo e bën ekzistencën dhe praninë e misionit të KFOR-it edhe më të rëndësishme. Prandaj, është e domosdoshme që KFOR-i ta ruajë këtë situatë me vetëdije dhe të vazhdojë ta përmbushë misionin në mënyrë efektive dhe të mbetet vigjilent dhe i gatshëm për çdo zhvillim të mundshëm që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë", theksoi Ulutaş.

Ndërrimi i komandës së misionit të NATO-s ndodh në një kohë kur Kosova po kalon një periudhë me tensione të ngritura në veriun e banuar me shumicë serbe të vendit, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku nga një grup i armatosur rëndë në Banjskë të Zveçanit.

Türkiye renditet e dyta midis 27 vendeve për sa i përket kontributit me personel në misionin e KFOR-it. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Türkiyes më 29 shtator u bë e ditur se Ankaraja do të bëjë përpjekjet e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe në Kosovë.

AA