Türkiye reagon ndaj deklaratës së KS-OKB-së lidhur me Qipron.     /Foto: AA

Türkiye ka theksuar se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), lidhur me çështjen e Qipros "vazhdon insistimin e tij në modelin e zgjidhjes që është i pasuksesshëm dhe i shkëputur nga të vërtetat në terren". Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes ka publikuar një komunikatë lidhur me deklaratën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) lidhur me çështjen e Qipros.

Në komunikatën e ministrisë turke bëhet e ditur se "mbështetet plotësisht" deklarata e bërë nga Ministria e Jashtme e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), e cila ka reaguar ndaj deklaratës për shtyp që Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka bërë për çështjen e Qipros.

"Lidhur me çështjen e Qipros, Këshilli i Sigurimit të OKB-së vazhdon insistimin e tij në modelin e zgjidhjes që është i pasuksesshëm dhe i shkëputur nga të vërtetat në terren. Duhet të konceptohet nga të gjitha palët se objektivi i saj për zgjidhje federale tashmë nuk pasqyron të vërtetën e vullnetit sovran të popullit turk të Qipros", thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, theksohet se presin që Këshilli i Sigurimit të kuptojë se turqit qipriotë kanë tërhequr mbështetjen e tyre nga modeli i zgjidhjes së diskutuar në të kaluarën. Më tej nënvizohet se ky qëndrim i Këshillit të Sigurimit i cili largohet gjithnjë e më shumë nga marrja bazë e raporteve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në vend që të inkurajojë zgjidhjen në Qipro nxit qëndrimin e papajtueshëm të palës greke qipriote, "i cili shpërfill turqit qipriotë të cilët janë pronari i përbashkët i vjetër dhe i vërtetë i ishullit".

"Edhe një herë theksojmë se një zgjidhje e drejtë, e përhershme dhe e vazhdueshme që do të arrihet në Qipro, duhet të pasqyrojë vullnetin e të dy popujve në ishull dhe se nuk mund të imponohet nga palë të treta. Ftojmë Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe komunitetin ndërkombëtar që duke marrë për bazë realitetin se në ishullin e Qipros ndodhen dy popuj dhe dy shtete të ndarë, të konfirmojnë barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar të cilat janë të drejta thelbësore të popullit turk të Qipros, si dhe nënvizojmë që ky është parakusht i domosdoshëm për fillimin e çdo procesi të ri negocimi për zgjidhjen e çështjes së Qipros", thuhet në deklaratë.


TRT Balkan / agjencitë