Vazhdon masa arrest me burg për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës. / Foto: AA

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) ka vendosur të mos ndryshojë masën arrest me burg ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje".

Në një njoftim nga GjKKO-ja thuhet se Beleri më datë 26 dhjetor të vitit 2023 ka paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesën për "revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë".

Sipas gjykatës, në seancën e sotme është vendosur rrëzimi i kërkesës së Belerit, ndërkohë kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Edhe në disa seanca të tjera, gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar kërkesat e Belerit për lirimin e tij, përfshirë edhe kërkesën për t'u betuar si kryebashkiak.

Aktualisht, çështja ndaj Belerit është në gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërkohë ai akuzohet për "korrupsion aktiv në zgjedhje".

Çështja ndaj Alfred Belerit

Më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".

Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.

Sipas autoriteteve shqiptare, Beleri dyshohet për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.

Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe Greqi.


TRT Balkan / agjencitë