Kosovë, ish-ministri Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burg. / Foto: Kosova Press

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në lidhje me rastin e pagesës prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar kompanisë “Bechtel-Enkës”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke i dënuar së bashku me dhjetë vjet e shtatë muaj burgim.

Ish-ministri i Infrastrukturës, njëherësh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u dënua me tre vjet e tetë muaj burgim efektiv, ish-këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha, u dënua po ashtu me tre vjet e tre muaj burgim, ndërkaq Nebih Shatri në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri u dënua me 1 vit e tetë muaj, kurse Besim Tahiri, si drejtor i prokurimit publik në MI, u dënua me 1 vit e tetë muaj burgim.

Të përmendurve po ashtu iu shqiptua dënim plotësues për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në Administratën Publike dhe shërbime publike. Dënimi ndaj të akuzuarve do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Në shpalljen e aktgjykimit, gjyqtarja Violeta Namani tha se të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në bashkëkryerje.

Duke elaboruar aktgjykimin, gjyqtarja Namani tha se të akuzuarit me dashje dhe paramendim kanë tejkaluar kompetencat zyrtare, duke bërë pagesë të pabazuar shtesë prej 38 milionë eurosh, në dobi të kompanisë Bechtel-Enka.

Pas përfundimit të seancës, mbrojtja e të akuzuarve e konsideruan skandaloz këtë vendim, derisa bënë të ditur se do të apelojnë në shkallën e dytë.

TRT Balkan / agjencitë