Vdekshmëria nga kanceri në Ballkan: Shqipëria e fundit!   / Foto: AA

Java e parë e muajit prill çdo vit iu kushtohet personave të diagnostikuar nga sëmundja e kancerit. Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se nëse ritmet e kancerit (tumor malinj ose tumor) mbeten të qëndrueshme dhe rritja dhe plakja e popullsisë vazhdojnë paralelisht me periudhën e fundit, vlerësohet se 28 milionë raste të reja do të shihen në mbarë botën deri në vitin 2040.

Një në çdo gjashtë vdekje në mbarë botën shkaktohet pikërisht nga kanceri.

Në kuadër të kësaj jave TRT Balkan ju sjell disa të dhëna për këtë sëmundje të pamëshirshme ndaj njerëzimit. Të dhënat vënë në dukje situatën serioze të cilën po ballafaqohet rajoni me këtë sëmundje.

Shqipëria më së paku

Duke iu referuar të dhënave nga jetëgjatësia botërore (worldlifeexpetancy) mësohet se Shqipëria është vendi me më së paku raste të vekshmërisë nga sëmundja e kancerit në rajon.

Në çdo 100 mijë banorë 95,26 persona humbin jetën nga kanceri në Shqipëri.

Sa i përket kancerit të mushkërive si një ndër llojet më shkaktare të vdekshmërisë, Shqipëria radhitet e 45-ta në botë.

Mali i Zi dhe BeH thuajse të barabarta

Numri i të vdekurve nga sëmundja e kancerit në Malin e Zi dhe në Bosnjë e Hercegovinë është i përafërt.

Në Mal të Zi nga kjo sëmundje famëkeqe në çdo 100 mijë banorë humbin jetën 121 persona, ndërsa sa i përket vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive renditet e 8-ta në botë.

Vdekshmëria nga kanceri në çdo 100 mijë banorë të Bosnjë e Hercegovinës është 134 persona, gjegjësisht nga kanceri i mushkërive vdesin 33,82 persona në çdo 100 mijë banorë, ose e 7-ta në botë.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia e vuajnë më së shumti

Nga gjitha vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Serbia e vuajnë më së shumti gjendjen aktuale të mortalitetit si pasojë e kancerit.

Në Maqedoni në çdo 100 mijë banorë vdesin nga kanceri 153,6 persona, ku 31,93 prej tyre të diagnostifikuar me kancerin e mushkrive, ose e 10-ta në botë.

Diçka më keq është situata në Serbi, ku këtu në çdo 100 mijë banorë, 167,18 persona vdesin nga kanceri.

Serbia jo vetëm se e vuan më së shumti në rajon këtë sëmundjen e kancerit në përgjithësi, mirëpo edhe për nga numri i vdekshmërisë si pasojë e kancerit të mushkërive si lloj i veçantë, renditet e 2-ta në botë, me 40,20 vdekje në çdo 100 mijë banorë.

Vështirësitë e diagnostikimit me kohë

Barra fizike, emocionale dhe ekonomike e sëmundjes vazhdon të rritet në mbarë botën, duke e bërë atë një situatë jashtëzakonisht të vështirë për t'u menaxhuar në shumë vende me të ardhura të mesme dhe më të ulëta.

Përveç kësaj, një numër i konsiderueshëm pacientësh nuk kanë qasje në diagnostikimin dhe trajtimin në kohë. Llojet e kancerit

Terminologjia mjekësore njeh gjithsej 16 lloje të kancerit, duke filluar nga kanceri i mushkërive, i prostatës, stomakut, gjakut, mëlçisë, fshikëzës, pankreasit, zorrës së trashë, qafës së mitrës, gojës, mitrës, vezores, lëkurës, Leukemisë dhe limfomet.

Diagnoza dhe trajtimi i hershëm

Midis 30 dhe 50 për qind e vdekjeve të lidhura me kancerin mund të parandalohen me zbulimin e hershëm dhe trajtimin efektiv.

Në vendet ku sistemi shëndetësor është i fortë, shkalla e mbijetesës së pacientëve me kancer rritet falë faktorëve të tillë si diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi cilësor.

Megjithëse një metodë efektive trajtimi nuk është gjetur ende në të gjitha llojet dhe pacientët e kancerit, shkalla mesatare e rikuperimit prej rreth 50 për qind po rritet, në varësi të llojit.

Trajtimet si kirurgjia, kimioterapia, terapia me rrezatim dhe transplanti i palcës së eshtrave janë trajtimet më të zakonshme për kancerin.

Përveç këtyre, imunoterapia, terapia hormonale, terapia e synuar me ilaçe dhe metodat e heqjes së radiofrekuencës janë përdorur në trajtimet e kancerit për një kohë të gjatë.

Këto metoda trajtimi mund të aplikohen të vetme ose të kombinuara.

Ndërkohë, plani më i mirë i mundshëm i trajtimit për kancerin varet nga lloji i tumorit, faza e sëmundjes, faktorët klinikë dhe faktorë të tjerë.

Me këto metoda synohet të trajtohet kanceri, të zgjatet sa më shumë jeta e pacientit dhe të përmirësohet cilësia e jetës.

Vendet aziatike janë në majë

Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), Azia, me 9 milionë e 503 mijë e 710 nga 19 milionë e 292 mijë e 789 persona të diagnostikuar me kancer në vitin 2020, kryeson në rastet e kancerit.

Nga të diagnostikuarit me kancer, 4 milionë e 398 mijë e 443 jetojnë në Europë, 2 milionë e 556 mijë e 862 jetojnë në Amerikën e Veriut, 1 milion e 470 mijë e 274 jetojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe dhe 1 milion e 109 mijë e 209 jetojnë në Afrikë.

Vendi me incidencën më të lartë të kancerit në raport me popullsinë globalisht ishte Australia me 468 raste për 100.000 njerëz, e ndjekur nga Zelanda e Re me 438 raste.

Këto vende u pasuan nga Irlanda me 373 raste për 100 mijë persona, Hungaria me 368 raste, ShBA-ja me 352 raste dhe Belgjika me 345 raste.

TRT Balkan