Në dhjetë pika kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka publikuar së fundmi vizionin e tij për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë.
Pas takimit të 2 majit në Bruksel, Kurti tha se draft-statuti i ekipit menaxhues, anëtare e të cilit është një deputete serbe, mbetet i papranueshëm për Kosovën.
Kurti tha se ky ekip tashmë është dekomisionuar.
“Një draft-statut i tillë çfarë lexuam është fundamentalisht i papranueshëm me kushtetutën e Kosovës, ligjshmërinë dhe të drejtat në Kosovë. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe përkitazi me këtë unë kam prezantuar një draft-vizion se çfarë do të ishte korniza që rregullon të drejtat e pakicave në Kosovë”, tha Kurti në Twitter, ku edhe ka publikuar draft-vizionin e tij që e paraqiti në takimin me Vuçiqin e Borrellin.
Vizioni i kryeministrit Albin Kurti
Zbatimi i nenit 7 të Marrëveshjes Themelore, në lidhje me nenin 10, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (dhe vendimin shoqërues të Gjykatës Kushtetuese të datës 23 dhjetor 2015, Garancia e ish-Përfaqësueses së Lartë Mogherinit drejtuar kryeministrit të Kosovës (e datës 24 gusht 2015) dhe Qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara (Deklarata Chollet/Escobar, e datës 30 janar 2023). Për të përmbushur këtë ambicie, një draft-statut duhet të jetë në gjendje, ndër të tjerash, të përmbushë kriteret kumulative të mëposhtme, përkatësisht të përfshijë këto elemente:
· Të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, përkatësisht Konventa Kornizë;
· Të ofrojë mundësinë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të promovojnë dhe mbrojnë interesat e tyre përmes një kornize të vetëmenaxhimit;
· Të nxisë një projekt joterritorial, ku të gjithë serbët në Kosovë do të përfaqësoheshin funksionalisht (duke u mbështetur në të drejtën e votës dhe parimet e parapara në Kapitullin III, nenet 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës) në përputhje me parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimin dhe mbi bazën e të cilave, të gjithë serbët në Kosovë realizojnë të drejtën e tyre për asociim të lirë për të mbrojtur ose avokuar për të drejtat dhe qëllimet politike, kombëtare, kulturore, sociale, ekonomike dhe të tjera;
· Do të sigurojë kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit me Qeverinë e Kosovës, ndër të tjera, nëpërmjet pjesëmarrjeve në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve;
· Do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia, të cilat të gjitha duhet të kalohen nëpërmjet procedurave dhe rregulloreve të Ministrisë së Financave të Kosovës;
· Do ta parashohë mundësinë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, duke përfshirë komunat, për qëllimet e mbështetjes së punës dhe misionit të tij për anëtarët e tij;
· Do t’i njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës, sikurse respektimi i pavarësisë, sistemi unitar institucional, integriteti territorial i Republikës dhe do të kontribuojë në realizimin e plotë të saj në praktikë;
· Do t’i shfrytëzojë ligjet aktuale për të ofruar mundësi për të ushtruar shërbime të caktuara jofitimprurëse, duke themeluar asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe edukimit si dhe asociacione studimi dhe të tjera për shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb;
· Do ta parashohë procedurën për t’u regjistruar me organin përgjegjës të Qeverisë së Kosovës për administrimin dhe procedurat e përgjithshme për përputhshmëri me ligjet në fuqi të Kosovës;
· Do të sigurojë dhe promovojë respektin për pluralizmin politik, të drejtën e fjalës, lirinë e asociimit dhe të drejtën për ta mbrojtur lirshëm identitetin politik dhe fetar të serbëve në Kosovë.
Në fund, si zotim shoqërues, duke u bazuar në frymën thelbësisht liberale të Marrëveshjes Bazë, e cila, në preambulë thekson se “mbrojtja e minoriteteve kombëtare është kusht themelor për paqe”, ky projekt duhet të personifikojë vendosmërinë e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë që të mbeten të sinqerta dhe të angazhuara për të siguruar që komunitetet e tyre përkatëse joshumicë plotësojnë të njëjtat standarde për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, standarde që i kanë të përbashkëta shoqëritë demokratike dhe të bashkuara, e të cilat askënd nuk e lënë prapa.