Vuçiq: Marrëveshja e Ohrit mund të bëhet pjesë e negociatave me BE-në / Foto: AA Arkiv

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ekziston mundësia që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e kapitullit të 35-të të negociatave me BE-në, e me këtë edhe kusht për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Vuçiq ka theksuar se e ka thënë qartë “atë që nuk mund ta pranojë”.

"Së pari, le të shohim se çfarë ndodh, sepse ata nuk mund të injorojnë diçka për të cilën kanë folur me mua. Pas çdo vizite të tyre, pas Ohrit, kam dalë dhe kam thënë qartë se çfarë pranojmë dhe çfarë jo, sepse deklarata ime e qartë verbale është qëndrim i shtetit dhe ju nuk mund ta kaloni atë”, tha Vuçiq në një intervistë për NIN.

Ai ka theksuar se edhe deputetëve në Kuvendin e Serbisë u ka thënë se nuk bëhet fjalë për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke thënë se për këtë i ka njoftuar “francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët”.

“Të gjithë dinë gjithçka”, theksoi presidenti i Serbisë.

Vuçiq tha se dy vende po “shtyjnë fort” që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e procesit të negociatave.

“Nuk më takon mua të them tani se cilat dy vende po shtyjnë fort, nuk jam i sigurt nëse e duan edhe të tjerët, kështu që do të shohim”, tha Vuçiq.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Vuçiq tha se lista e Partisë Progresive Serbe do të fitojë bindshëm më 17 dhjetor dhe se “mbetet të shihet” se kush do të jetë kryeministër.

“Njerëzit në SNS (PPS) po shqyrtojnë të paktën dy propozime. Edhe unë po mendoj, por asnjë nga ato propozime për kryeministër nuk është tani për tani Ivica Daçiq”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit. Ai shtoi se do të përgëzojë opozitën nëse fiton zgjedhjet.

“Dhe do të them menjëherë se jam gati të flas rreth asaj nëse shkojmë në zgjedhje presidenciale në maj apo në shtator 2024, sepse e di që nuk do të arrij dot rezultate serioze në këtë mënyrë, dhe ky është fundi i tregimit”, tha Vuçiq.

Megjithatë, ai theksoi se SNS-ja (PPS-ja) do të fitojë shumicën absolute në këto zgjedhje dhe se nuk do t'i duhen as partitë e pakicës për të formuar shumicën.

“Ne vetë do të kemi një shumicë absolute, nëse nuk ndodh diçka në nëntë ditët e fundit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare kemi fituar 42 për qind dhe tani do të fitojmë dukshëm më shumë”, tha Vuçiq.

TRT Balkan / agjencitë