Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili sipas autoriteteve të Kosovës kishte qenë organizatori i sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, gjendet në Serbi dhe i njëjti nuk është plagosur, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në intervistë për servisin publik.
“Kam besim se do të merret në pyetje, tha Vuçiq për RTS-në dhe shtoi se ndodhet në Serbinë qendrore. Ai theksoi se Radoiçiq e konsideron veten luftëtar për liri dhe se nuk ka hequr dorë dhe as nuk do të heqë dorë nga shokët e tij. Sipas Vuçiqit, Radoiçiqi do të duhet të përgjigjet para autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë.
I pyetur se cilët ishin serbët që morën pjesë në konfliktin në fshatin Banjskë, Vuçiq tha se për të si president ata njerëz nuk do të jenë kurrë terroristë.
Këta janë familjarë, baballarë, theksoi presidenti.
Mëngjesin e hershëm të 24 shtatori në fshatin Banjskë në veri të Kosovës u sulmua patrulla e Policisë së Kosovës, me çka humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe disa kolegë të tij u lënduan. Kjo ngjarje shkaktoi reagimin e njësive speciale të Kosovës, të cilët në përleshje me sulmuesit gjatë ditës së 24 shtatorit vranë tre prej tyre dhe arrestuan disa prej tyre.