Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë shqyrtimit të ri gjyqësor sot përsëri e shpalli fajtor Zoran Vukotiqin përgjegjës për kryerjen e krimit dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe e dënoi me 10 vjet burgim..
Pas vendimit për dënim me 10 vjet burgim për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës të marrë më 5 korrik 2021 nga Gjykata Themelore e Prishtinës kundër Zoran Vukotiq, për shkak të parashtrimit të ankesës në Gjykatën e Apelit, rasti ishte kthyer në rigjykim.
Ndërsa sot Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, shpalli aktgjykimin dënues me të cilin Zoran Vukotiq shpallet fajtor për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës kundër viktimës shqiptare.
Vendimi i marrë në vitin 2021 ishte një pikë kthese për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke ua rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë dhe shpresën për dënimin e personave përgjegjës për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Kurse konfirmimi i sotëm i të njëjtit vendim sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e fuqizon edhe më tutje këtë besim që po ndërtohet nëpërmjet guximit të të mbijetuarve që kanë paraqitur rastet e tyre në prokurori dhe përkushtimit të institucioneve të drejtësisë për t’i shkuar deri në fund procesit të vënies së drejtësisë në vend.
“Ky vendim përçon mesazhin që krimet e dhunës seksuale gjatë luftës as harrohen e as falen, por pavarësisht kohës që ka kaluar dhe përpjekjeve për t’i ikur drejtësisë, ajo herët ose vonë do të arrihet dhe do të jetë e palëkundshme. Rruga e drejtësisë e cila është hapur me këtë vendim është në vazhdimësi, do të jetë e pandalshme dhe të gjithë presim që drejtësia të arrihet edhe për rastet e tjera në proces duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë që ka mbizotëruar deri tash”, thotë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Andaj, ata ftojnë institucionet relevante që të vazhdojnë ndjekjen e drejtësisë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ndryshe, gjatë periudhës së luftës 1998-99 në Kosovë, nga Ushtria e Serbisë janë dhunuar 20 mijë gra.